15 August 2016

Në arkivin e “CNN” dhe “Zërit të Amerikës”, një vend të veçantë zë dhe dosja e gazetares shqiptare, Nexhmije Zaimi.

Mjaft nga personalitetet që kanë shërbyer për gjigandët e medias amerikane e përmendin herë pas here kontributin e spikatur të reporteres nga Shqipëria.
Nexhmija, lindi në një familje toske, siç thoshte ajo në gjallje, diku në vitin 1914 dhe u rrit në qytetin e vogël të Libohovës dhe në Tiranë. Them diku, se ajo vet pretendonte se kishte lindur në vitin 1917. Babai i saj Mustafa Zaimi ishte njëri nga zyrtarët e lartë të qeverisë osmane. Kishte një motër, Hanifen dhe dy vëllezër, Mehmetin dhe Hiqmetin. Ky i fundit vdiq i ri nga një sëmundje në mushkrive,
Nexhmija, bashkë me një vëllanë e saj, Mehmetin ndoqën një shkollë të drejtuar nga misionarë amerikanë të Kishës Protestante (Presbyterian). Nëna ime ka qenë ndër gjashtë vajzat e para në Shqipëri, që në atë periudhë shkuan në shkollë të mesme. Kjo ishte një zgjedhje e saj në kundërshtim me dëshirën e prindërve, të cilët bënë ç’është e mundur për të mos e lejuar të vazhdonte studimet. Edhe më herët Nexhmija kishte dalë në kundërshtim me dëshirën e prindërve. Kur ishte diku 13 apo 14 vjeçe, familja e urdhëroi të vinte perçe, por ajo e refuzoi dhe e hodhi atë nga dritarja, duke shkaktuar një skandal në Tirane.
Sipas traditës së asaj kohe, kur ishte 16 vjeçe, me detyrimin e prindërve u martua me një burrë shumë më të vjetër se ajo, martesë që nuk u konsumua kurrë, pasi ata nuk jetuan bashkë për asnjë çast. Pas vdekjes së nënës së saj, Nexhmija mundi të largohej nga Shqipëria për në SHBA, falë lidhjeve me një sponsore protestante nga Nju Xhërsi. Këto lidhje pra, me zonjën Jesse Munger, i krijuan hapësirat, madje edhe komoditetet e nevojshme për të ndërtuar një jetë të re.
Pas rrugëtimit me anije për në Nju Jork, punoi për pak kohë në shtëpinë e zonjës Munger, ndërkohë që më vonë filloi studimet në Kolegjin e Wellesley-it, universitet ky, nga më prestigjozët dhe më të famshmit për femrat në atë kohë. Kështu, ajo u bë e para grua shqiptare që shkoi në universitet, me gjithë kundërshtimin e madh të familjes dhe pavarësisht zakoneve shqiptare.
Në “Wellesley” Nexhmija përvetësoi anglishten në mënyrë të përshpejtuar dhe u bë studente e nivelit A, që do të thoshte e nivelit shkëlqyeshëm. Gjatë katër viteve në këtë universitet, ajo shkroi një libër që u vlerësua jashtëzakonisht në atë kohë dhe u shit në mënyrë rekord. Libri quhej “Bija e shqiponjës”.
Ajo, menjëherë pas diplomimit, nisi sërish studimet në një tjetër universitet, madje po kaq të famshëm sa dhe ai. Në Universitetin e Kolumbisë u diplomua për gazetari. Gjatë kësaj periudhe, ajo u njoh dhe u martua me Henry M. Margolis, një jurist nga Nju Jorku, i cili merrej me administrimin e hoteleve dhe pronave të tjera. Bashkëjetesa e tyre ishte e shkurtër dhe produkt i saj ishte një fëmijë i lindur në shkurt të vitit 1943, me emrin Erik Skënderbeg Margolis. Pra, unë djali i vetëm i tyre.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Nexhmija shkoi në Itali, ku punoi për disa vjet, duke ndihmuar shqiptarët dhe refugjatët e tjerë, të cilët kishin emigruar në Itali. Ajo kaloi disa kohë në Kalabri duke investiguar historinë e shqiptarëve arbëreshë dhe dialektin e tyre të shqipes mesjetare. Pikërisht për punën me refugjatët dhe kontributet e jashtëzakonshme që ofroi në ndihmë të tyre, Nexhmija u bë “Comandatoressa della Coronna d’Italia”, që do të thotë “Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë” dhe iu dha një nga medaljet italiane më të larta. Kjo është, si të thuash, historia e dekorimit të nënës time nga autoritetet italiane. Për vitet kur ajo ka shërbyer në atë zonë ajo ka lënë edhe shumë shënime, në të cilat ka regjistruar kronikën e plotë të aktivitetit të saj në Itali pas Luftës së Dytë Botërore.

No comments:

Post a Comment