11 April 2017

VLERAT USHQYESE DHE SHËNDETËSORE TË FRUTAVE TË MANIT TË BARDHË DHE TË Zi

Nga Besnik Ismailati

Pema manit është një kulturë që i përket familjes Moraceae , rritet në të gjitha zonat gjeografike dhe është e përhapur nga rajonet e ulëta bregdetare e deri në ato tropikale; d.m.th në të gjithë botën. Mani është shumë i kultivuar në Kinë dhe sipas disa dokumenteve, kultivimi i tij daton rreth 2700 vjet para Krishtit. Rritja e tij ishte e lidhur fillimisht me shfrytëzimin e larvave krimbit të mëndafshit për të prodhuar mëndafshin. Në kohët e lashta, praktika e prodhimit të mëndafshit u shtri edhe në Armeni dhe Detin Kaspik, më vonë në sajë të arabëve, përhapja e tij u zgjerua edhe në Evropë.
Por mani,përveç kultivimit për rritjen e krimbit të mëndafshit, është kultivuar edhe për konsumin e frutave të tij që janë mjaft të shijshme dhe të pasura me lëndë ushqyesve. Përdorimet mjekësore të frutave të manit janë vlerësuar edhe nga Plini, i cili tregon se Romakët i përdornin frutat e papjekur të manit të zi për të ndaluar gjakderdhjen nga plagët; ndërsa frutat e pjekur të bashkuara me mjaltë, me rrushin e thatë, me rrëshirën e mirrës që nxirret nga një bimë e quajtur Commiphora myrrha ( që gjendet në vendet arabike) dhe me shafran, janë rekomanduar për të luftuar dhimbejt e fytit dhe çrregullimeve të stomakut. Në mjekësinë tradicionale kineze mani konsiderohet si hepatoprotektor, si forcues i kërceve, si diuretik dhe si normalizues i presionit të gjakut. Dy speciet kryesore më të përhapura janë Morus alba dhe Morus nigra, respektivisht, mani i bardhë dhe mani i zi, frutat e të cilave piqen nga muaji maj deri në korrik për manin e bardhë dhe nga qershori deri në gusht për manin e zi.
Frutat e manit përmbajnë një sasi të lartë të hekurit, rreth 185 mg për 100 gram të frutave; pak kalori, rreth 43 në 100 gr. Frutat e manave të bardhë zakonisht përdoren të freskëta dhe të thata; rrënja e tij është përdorur kundër kollës dhe astmës; ndërsa druri për të bërë vegla pune. Frutat e manit të zi , në krahasim me ato të manit të bardhë janë më të mëdha , më të shijshme dhe më të pasura me antociane, janë antioksidantë mjaft të çmuar dhe me veprim vazoprotektor. Lëvorja e rrënjës, e cila përdoret si diuretik, purgativ, hipoglicemik dhe anti-anemik, përmban një substancë të quajtur moruzinë, e cila është një flavonoid me veprim analgjezik ideal për kurimin e dhimbjeve të ndryshme nervore (në lëkurë, indin nënlëkuror, muskujve, nyjeve, periosteumit (këllëf i indit lidhor) , si dhe sistemit të enëve të gjakut .
Sipas mjekësisë moderne bimore, gjethet e manit të përdorura si çaj janë shumë të efektshme kundër diabetit. Fillimisht në një enë bëhet zierja e një sasie prej gjysëm litri ujë, pastaj shtohet një grusht gjethe mani duke e lënë të pushojë për 10 minuta. Ky çaj pihet para ngrënies së çdo vakti ushqimi në sasinë e një filxhani çaji. Ky lloj çaji jep efekte edhe në rastet e hipertensionit dhe diarresë. 
Deri më sot studimet e kryera na shpjegojnë edhe 10 përfitimet e mundshme për shëndetin tonë nga konsumi i frutave të manit. 
Nga ana e mjekësisë kineze manat janë konsideruar si një ushqim mjaft i rëndësishëm. Duhet theksuar se shumë prej cilësive përfituese të frutave manit nuk janë vërtetuar shkencërisht, por në fakt ato janë ilaçe tradicionale popullore në të gjitha ato vende ku kjo kulturë kultivohet e konsumohet prej mijëra vjetësh. Ja cilat janë 10 cilësitë përfituese nga konsumi i frutave të manit:
1) Parandalimin e kancerit: frutat e manit janë një burim i mirë i resveratrolit, si një ushqyes bimor mjaft i fuqishëm njëlloj sikurse edhe vera dhe rrushi . Disa studiues me famë botërore besojnë se kjo substancë, mund të parandalojë kancerin dhe të ndihmojë në luftën kundër tumoreve ekzistuese.
2) Rritjen e viteve të jetës sonë falë përmbajtjes së resveratrolit
3) Tonik i gjakut: Në mjekësinë kineze, frutat e manit janë konsideruar si një tonik i gjakut, që do të thotë se nga përdorimi i tyre ndodh pastrimi i gjakut dhe rritje e rrezistecës së organizmit të njeriut.
4) Forcimin e veshkave: Në mjekësinë kineze, besohet se konsumi i frutave të manit ndikon në forcimin e veshkave.
5) Pastrojnë mëlçinë: Gjithmonë sipas mjekësisë kineze, konsumi i frutave të manit jep efekt edhe në pastrimin e mëlçisë.
6) Forcon shikimin dhe dëgjimin: çaji bimor i bërë nga mani dhe i marrë në stomak bosh në mëngjes, sipas mjekësisë kineze besohet se ndikon në rritjen e dëgjimit dhe shpikimit.
7) Jep efekte pozitive kundër kapsllëkut: Në Turqi, për të kuruar kapsllëkun përdoret ngrënia e manit të bardhë me stomak bosh në mëngjes dhe menjëherë pas ngrënies së tyre pihet një gotë me ujë.
8) Janë të dobishme kundër anemisë: Në pikëpamje të përmbajtjes të lartë hekurit, frutat e manit janë një ushqim i shkëlqyer për të trajtuar aneminë.
9) Ndikojnë në shërimin kundër ftohjej dhe gripit: Në Turqi, shpesh hahen frutat e manit për të parandaluar dhe trajtuar sëmundjen e gripit dhe ftohjes, për shkak të përmbajtjes të lartë të vitaminës C. 
10) Kundër zbardhjes së flokëve : Në disa vende të tilla si Kina dhe Turqia, frutat e manit konsiderohen një mjet i efektshëm për flokët që zbardhen para kohe . 
Sot mani është një frut që pothuajse nuk gjendet fare në treg, prandaj ai mund të konsiderohet edhe si një frut i harruar për konsum. Por pavarësisht cilësive të lartpërmendura , ne të gjithë jemi indiferentë dhe dëshmitarë okularë kur shohim të rrëzuara për tokë me mijëra fruta mani. Ndoshta njohja e këtyre cilësive shëndetësore të frutit të manit do të shërbejë sadopak edhe në rritjen e vëmendjes dhe kujdesit ndaj tij.

No comments:

Post a Comment