Në përgjigje të valës së lajmeve
të rreme që përmbytën fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e
Bashkuara, shumë vëmendje i është përkushtuar atyre që prodhuan apo shpërndanë
ato histori. Supozimi është se nëse mediat do të raportonin vetëm “faktet”,
lexuesit dhe shikuesit do të arrinin gjithnjë konkluzionin e duhur të një
historie.
Por kjo qasje adreson vetëm
gjysmën e ekuacionit. Po, na duhen organizata lajmesh që të japin informacion
të besueshëm; por duhet gjithashtu që ata që e marrin të jenë konsumues të
zgjuar.
Për dekada, qeveria amerikane ka
mbështetur programe për të nxitur media të pavarur në vendet autoritare, pa
burime apo jo funksionale. Por këto programe prezumojnë në heshtje se SHBA-ja
në vetvete është imune ndaj problemeve që hasin njerëzit në vende të tjera, kur
ata krijojnë apo konsumojnë informacion. Ne në SHBA supozojmë se media
amerikane, e ushqyer nga reklamat, do të vazhdojë të lulëzojë; se gazetaria e
pavarur është norma dhe se shumica e njerëzve janë të aftë të mendojnë në mënyrë
kritike dhe të bëjnë gjykime kritike ndaj informacionit që marrin.
Në fakt, disa nga leksionet që
kemi mësuar ndërsa mbështesnim mbledhjen dhe ofrimin e informacionit të vërtetë
jashtë vendit janë po aq të rëndësishme edhe për SHBA-në. Në zgjedhjet e 2016,
bindjet personale që nxitën vendimet e miliona votuesve nuk ishin bazuar vetëm
te eksperienca personale dhe te informacioni që ata kishin marrë, por edhe nga
mënyra se si ata i përpunojnë ato eksperienca dhe atë informacion. Marrëdhëniet
e votuesve me ata që prodhonin informacionin, motivet e tyre për të besuar apo
mosbesuar faktet dhe aftësitë e tyre të mendimit kritik që të gjitha përcaktuan
se si do të interpretonin apo vepronin ata mbi informacionin e marrë.
Në zgjedhje, shumica e ekspertëve
të zakonshëm nuk duket se i “kuptuan” bindjet apo pikëpamjet e miliona
amerikanëve, ndaj nuk është çudi që ata miliona amerikanë u mënjanuan nga
diskutimet e ekspertëve. Për këta votues, ekspertët ishin thjesht të lidhur me
informacionin, jo me çështjet që kanë rëndësi. Burra dhe gra që flasin përpara
kamerave të televizorit të cilët janë shumë të distancuar nga fabrikat, zyrat,
lokalet, kishat, shkollat dhe spitalet ku shikuesit formojnë marrëdhënie që
përcaktojnë mënyrën si ata përpunojnë informacionin. I ashtuquajturi revolucion
dixhital nuk kap rëndësinë e madhe të lidhjes njerëzore në formësimin e
interpretimit të njerëzve dhe përgjigjes ndaj informacionit që ata marrin.
Marrëdhëniet ndërtohen mbi
besimin, që është thelbësor për t’u siguruar që konsumatorët të pranojnë
informacionin që sfidon besimet e tyre të forta. Por sipas Gallup,
vetëm 32% e amerikanëve kanë “një besim të madh” ose “sasi të konsiderueshme
besimi” te mediat tradicionale – një shifër e ulët historike. Kjo është shumë
problematike dhe sugjeron se shumë qytetarë po e shkëmbejnë marrjen e
informacionit të mirë, me atë të keq.
Ashtu sikurse me çdo mall tjetër,
mënyra se si konsumohet informacioni reflekton mundësitë ekonomike dhe
politike, stimujt personal dhe normat institucionale apo kulturore. Punëtorët
në Ohaio rrogat e të cilëve kanë mbetur në vend apo votuesit e papunë në
Miçigan punët e të cilëve kanë migruar jashtë vendit, do të konsumojnë
informacion në një mënyrë që reflekton situatën e tyre ekonomike. Nuk është
çudi, që ata shpesh zgjedhin burime – të besueshme ose jo – që janë kritike
ndaj globalizimit dhe politikave aktuale fiskale dhe ekonomike.
Një sasi e mirë informacioni të
besueshëm nuk mjafton për të bërë zgjedhje të mira; konsumatorët e lajmeve
duhet të kenë aftësi të mendimit kritik. Informacioni është më shumë sesa
ushqimi që hamë: ne duhet të kuptojmë të gjithë përbërësit dhe vendin dhe
mënyrën si është prodhuar, si dhe efektet e mbikonsumimit.
Me gjasa do të duhen dekada për
të rindërtuar marrëdhënie të besueshme mes konsumatorëve dhe medias
tradicionale. Konsumatorët e informacionit do të kenë gjithnjë arsye subjektive
për të zgjedhur një informacion përpara një tjetri. Megjithatë, mund të
përmirësojmë aftësitë e mendimit kritik që qytetarët të dinë si të zgjedhin
burime të besueshme dhe t’i rezistojnë paragjykimeve të tyre.
Kultivimi i mendimit kritik
kërkon kohë dhe praktikë, ndaj është më e rëndësishme se kurrë që të investohet
në arsimim. Disa nga modelet që janë përdorur jashtë mund të funksionojnë edhe
në SHBA gjithashtu. Për shembull, në Ukrainë një iniciativë e fundit e mbajtur
nga IREX mobilizoi librarët në përpjekje për të neutralizuar pasojat e dëmshme
të propagandës të financuar nga Kremlini. Pesëmbëdhjetë mijë ukrainas u mësuan
si të shmangin manipulimin emocional, të verifikojnë burimet dhe kredencialet,
të dallojnë informacionin e paguar dhe gjuhën e urrejtjes dhe të kuptojnë
videot dhe fotot false.
Rezultatet ishin impresionuese:
pjesëmarrësit përmirësuan aftësinë për të dalluar lajmet e besueshme nga lajmet
e rreme me 24 për qind. Dhe për ta çuar më tej, ata më pas stërvitën qindra
njerëz të tjerë për të dalluar dizinformimin, duke shumëfishuar kështu impaktin
e përgjithshëm të iniciativës.
Me një investim më modest, ne
mund ta bëjmë mësimin e këtyre aftësive një praktikë standarde në programin
shkollor. Filantropët gjithashtu mund të krijojnë ose mbështesin organizatat që
punojnë me qytetarët për të forcuar aftësinë e tyre të konsumit të
informacionit në mënyrë kritike.
Informacioni i saktë dhe aftësitë
e mendimit kritik janë të domosdoshme për demokracinë. Ne nuk mund t’i marrim
ato për të mirëqena, edhe në Amerikë. Kështu fiton lajmi i rremë.
No comments:
Post a Comment