04 March 2017

Vijojne reagimet per By Pass ne Gjirokaster

Moikom Zeqo: Ministria e Kulturës po shkatërron Gjirokastrën, “Bypass”-i një “gjarpër” betoni që prish unitetin e qendrës historike

    
 
 
Postuar: 04/03/2017 - 08:14
Nga Ministria e Kulturës nuk janë marrë masat që duhen për Gjirokastrën dhe projekti “Bypass” është në kundërshtim me rregulloren për mbrojtjen  dhe administrimin e qendrës historike dhe të zonës së mbrojtur të qytetit. Kështu shprehet studiuesi dhe arkeologu Moikom Zeqo, një nga zërat kundërshtues të “Bypass”. Sipas tij, paratë që janë për këtë projekt duhet të shkonin për restaurimin e banesave monument kulture apo dhe për kalanë që rrezikon. Në intervistën e tij si një nga specialistët e trashëgimisë, Moikom Zeqo pohon se nuk ka arsye që në kohën e sotme të ketë ndërhyrje të tilla urbanistike të quajtura moderne në një qytet, i cili vlerën e ka të madhe. Sipas tij, fakti që nuk janë dëgjuar kritikat që janë bërë për Gjirokastrën, tregon që mendimi shkencor për ata që e drejtojnë sot Ministrinë e Kulturës nuk ka asnjë vlerë referuese.
-Keni firmosur një peticion drejtuar institucioneve, ku ju kundërshtoni ndërtimin e “Bypass” në Gjirokastër. Pse?
Në datën 27 shkurt, ne kemi bërë një mbledhje në Akademinë e Shkencave, ku kemi diskutuar mbi një relacion shkencor të hollësishëm për gjendjen aktuale të monumenteve në Gjirokastër, si dhe idenë e një projekti të quajtur “Bypass”, i cili do të ndërhyjë në qendrën historike. Veç problemeve të mëparshme me numrin e monumenteve të kulturës artikuluar në shtyp, që e kam kundërshtuar, që është mospërputhja e listës së ministrisë me monumentet në Gjirokastër me listën në UNESCO, ku dalin mangët gati 236 monumente, nëse ju kujtohet unë thoja që këtu duhet të ketë një arsye tjetër më madhore, ose një argument që shkakton me nxitim dhe mënyrë jo shumë të studiuar këtë ndryshim në listën e monumenteve. Duhet të ekzistojë një interes dhe u vërtetua. Tani unë jam në dijeni të projektit për një “Bypass” në qendrën historike të Gjirokastrës. Ne e studiuam dhe projektin e “Bypass”, se si është organizuar, cila studio e ka konceptuar,  sasia prej 4 milionë eurosh si projekt. Ky projekt niset me një parim në dukje i natyrshëm për të rritur ardhjen e turistëve në Gjirokastër, por nuk merren parasysh veçoritë e qytetit. Së pari, turistët që do të vijnë do të shëtisin me këmbë Gjirokastrën, sepse e tillë është ndërtimi, struktura dhe gjithë labirinti i kalldrëmeve dhe ndërtesave. Mund të kishte një zgjidhje tjetër, jo me anë të një rruge të madhe prej betoni, i cili mund të arrijë lartësinë deri në 12 metra, por të ishte zgjidhje me teleferik lëvizja e vizitorëve, pa prishur imazhin dhe pa ndërhyrë me beton me një strukturë të madhe në qendrën historike të Gjirokastër. Por këto nuk kanë qenë të hedhura për një diskutim publik, sidomos me specialistët e Gjirokastrës që janë marrë me monumentet, por vumë re me habi që nuk ishin në dijeni as në Bashki. Këtë relacion të rëndësishëm bazuar me shumë referenca shkencore studimore ne e kemi firmosur dhe janë 30 personalitete, mes të cilëve janë inxhinier Agim Mero kryetari i Forumit për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës, akademiku Emin Riza përgatitës i dosjes për UNESCO, akademiku Luan Omari, prof. Farudin Hoxha, etj. Peticionin të cilin e kemi përkthyer dhe në anglisht ne ia dërguam Kryeministrit, Ministrisë së Kulturës, etj, por do të shkojë dhe në UNESCO. Dihet që UNESCO ka një përgjegjësi për faktin se qyteti i Gjirokastrës është pjesë e trashëgimisë botërore.
-Ku janë problemet në relacionin e përgatitur nga ju, çfarë ndodh me monumentet e kulturës?
Relacioni përmban analizën më të mirë, që është bërë në qytetin e Gjirokastrës pothuaj në të gjitha kohërat. Nuk kemi pasur një analizë të tillë, sepse lidhet dhe me strukturën gjeologjike të Gjirokastrës. Janë gati 11 studime të shkencëtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë për strukturën, ku është ngritur qyteti i Gjirokastrës dhe në mënyrë të veçantë kalaja e saj. Nga goditje sizmike të vitit 2016 që kishin qendrën në Janinë kulla kryesore e kalasë ka pësuar dëmtim të madh dhe kontrafortet e saj. Ka një devijim nga vija vertikale e strukturës së kalasë. Janë parë dhe të çara arkitektonike edhe në kala dhe në qytet, të cilat parakuptojnë një katastrofë të ardhshme nga lëkundjet sizmike të gjithë Gjirokastrës. Po ra kalaja e saj bie dhe Gjirokastra. Ky quhet problem emergjent për Gjirokastrën, mbrojtja nga shkatërrimi sizmik dhe parandalimi i rrëzimit të kalasë që do të marrë me vete dhe monumentet e tjera. Kalaja është në rrezik dhe ne e kemi bërë dhe me fotografi të objektit, të kullës kryesore se si janë devijuar përmasat nga tërmeti i vitit 2016 çka ka dëmtuar dhe një pjesë të monumenteve të Gjirokastrës. Problemi i dytë që ne ngremë është që ndërhyrja e një mase kaq të madhe të një rruge prej betoni në qendrën historike të Gjirokastrës është e gabueshme në dy pikëpamje. Së pari është e ndaluar në mënyrë kategorike, që të ndërhyhet në qendrën historike të qytetit me një element modern të kohës, sepse prishet uniteti i qendrës historike. Kjo është e përcaktuar dhe në ligj. Nuk mundet dot që ne të ndërhyjmë, sepse prishet ajo që quhet adresa e memories së qytetit. Kjo nuk duhet lejuar, është e gabuar. E rëndësishme është që ndërtimi i një vepre inxhinierike siç është një “gjarpër” prej betoni, që përfaqëson një rrugë që duhet të shkojë drejt qendrës historike të Gjirokastrës ka një peshë të tillë, që ndikon mbi strukturën e dobët gjeologjike të vetë bazamentit ku ngrihet kështjella dhe të vetë qytetit. Kjo do ta shumëfishonte rrezikun e një apokalipsi të vetë qytetit, për faktin se nuk është i imunizuar nga goditjet sizmike, përkundrazi është i rrezikuar. Kemi dhe një tjetër arsye, nëse bëhet projekti i “Bypass” eliminohet një numër i madh i monumenteve të kulturës të kategorisë së parë dhe të dytë në Gjirokastër. Janë këto arsyet që ne na bëjnë të themi se duhet anulluar ky projekt. Në relacion kemi përshembull muret e rrëzuara gjatë lëvizjes sizmike të datës 15-16 tetor 2016. Projekti që ka bërë Qeveria është në kundërshtim me nenin 9 të rregullores: “Për mbrojtjen, konservimin e integruar dhe administrimin e qendrës historike dhe të zonës së mbrojtur në qytetin e Gjirokastrës”. Ky dokument është shkelur, sepse ky projekt që unë uroj të mos bëhet planifikon që të ndërtojë në zonën e gjelbër, e cila duhet ruajtur. Duke kryer kështu një fashë bllokuese të korridoreve natyrore, e cila do të ndikojë dhe në habitatet natyrore që ndodhen brenda qendrës historike dhe zonës së mbrojtur në Gjirokastër. Dihet që qendra e trashëgimisë botërore UNESCO në vitin 2010 bëri një vërejtje kritike në mënyrë ultimative ndaj Shqipërisë për mungesën e kujdesit ndaj Gjirokastrës. Kanë qenë vërejtjet që rrezikonin daljen nga lista e trashëgimisë botërore të Gjirokastrës. Qeveria shqiptare pati disa reagime dhe këto kishin plotësimin e disa kritereve që vuri UNESCO. Por shikojmë që deri tani nuk janë plotësuar. Kjo përbën akoma një kusht më tepër që nëse ekzistojnë fonde, në vend që të merren me ndërtimin e një rruge të betonuar që do të ndikojë në prishjen e elementeve të ruajtjes memoriale të Gjirokastrës duhet të viheshin këto fonde në aspekte të tjera për të plotësuar kriteret që ka kërkuar UNESCO.
-Për ju ku nuk janë plotësuar këto kritere nga Ministria e Kulturës?
Nga Ministria e Kulturës nuk janë marrë masat që duhen për Gjirokastrën. Ne relacionin e kemi të përgatitur dhe me disa fotografi të monumenteve të kulturës të kategorisë së parë që janë shkatërruar.
-Ku janë këto shkatërrime të monumenteve të kategorisë së parë?
Po përmend banesën “Lolomani” monument kulturore i kategorisë së parë. Është në listën e monumenteve. Në 2006 ka qenë në këmbë si banesë, në 2016 është rrëzuar. Banesa “Çano” e kategorisë së parë e shkatërruar, si dhe banesa të tjera që janë në këtë gjendje. Në vend që merremi me restaurimin e banesave të kategorisë së parë ne merremi me projekte, të cilat prishin qendrën historike. Por unë kam dhe të tjera vërejtje për Ministrinë e Kulturës.
-Për probleme të ndryshme të fushës së trashëgimisë kulturore ju keni reaguar dhe më parë, ku janë këtë herë vërejtjet tuaja për Ministrinë e Kulturës?
Ministria e Kulturës duhet të dëgjonte mendimin e specialistëve. Fakti që nuk është marrë parasysh akademiku Emin Riza, kryespecialisti i Gjirokastrës, fakti që nuk janë dëgjuar dhe kritikat e ne të tjerëve që kemi bërë për Gjirokastrën, tregon që mendimi shkencor për ata që e drejtojnë sot Ministrinë e Kulturës nuk ka asnjë vlerë referuese. Më vjen keq që e them këtë. E shikoj që ka një predispozitë popullore për të mbrojtur vlerat e Gjirokastrës. Mendoj që kjo betejë duhet fituar dhe ka një llogjikë të fuqishme për të kundërshtuar “Bypass”. Nëse do të ketë një shkarkim të trafikut, që quhet një domosdoshmëri në pikëpamje të përgjithshme të lëvizjes, mendoj që ka forma të tjera ose pozicione jo në këtë zonë, që prek qendrën historike të Gjirokastrës. “Bypass” prish tërë imazhin e qendrës historike të Gjirokastrës. Me ndërtimin e këtij “gjarpri” prej betoni ndryshon memoria historike e Gjirokastrës. Mos harrojmë që Gjirokastra nuk është qytet modern, por është i mesjetës së vonë. Nuk është ndërtuar për rrugë të mëdha. Vetë Gjirokastra brenda për brenda ka strukturën labirintike të kalldrëmeve. Janë kalldrëmet me të cilët ka komunikuar ky qytet, sepse kështu është ndërtuar. Ky është koncepti i ndërtuar në gur, qyteti ka dhe çatitë prej guri, jo vetëm rrugët i ka me kalldrëm. Gjirokastra është një qytet i përmbledhur, një qytet historik, gati një unitet i shumë elementëve monumentalë që përbëjnë një tërësi. “Bypass” jo vetëm shkatërron imazhin e qendrës historike, por pesha e tij shkatërron sigurinë e mjedisit e të gjithë terrenit, që është i dobët dhe i kërcënuar nga goditje sizmike.
-Përmendët numrin e monumenteve të kulturës në Gjirokastër, ju keni replikuar me Ministrinë e Kulturës?
Unë kam bërë replikë me Ministrinë e Kulturës, sepse Ministria bazohet me një alibi burokratike janë kaq apo aq monumente, kjo nuk ka rëndësi. Unë nisem me substancën e problemit. Substanca e problemit është do ruhet trashëgimia e Gjirokastrës apo do shkatërrohet. Unë jam që të ruhet trashëgimia e Gjirokastrës. Në rastin konkret ministria po merret me anën formale të gjërave ose projekte, të cilat duhet të ishin shumë të studiuara, por nuk ka arsye në kohën e sotme të ketë ndërhyrje të tilla urbanistike të quajtura moderne në një qytet, i cili vlerën e ka të madhe. Gjirokastra është quajtur qytet i arkitekturës otomane më i ploti në gjithë ish perandorinë otomane të kohës, e ka quajtur një studiues holandez që quhet Machiel Kiel, sipas tij qyteti më i ruajtur dhe më piktoresk i periudhës osmane në Ballkan. “Bypass” një projekt i qeverisë që ka dhënë aprovimin dhe Ministria e Kulturës, e cila nëse kishte specialistë nuk duhet të kishte dhënë leje për këtë projekt. Më vjen keq që në Ministrinë e Kulturës nuk ka specialistë që lidhen me monumentet e kulturës.  

No comments:

Post a Comment