25 September 2016

Fjala e kryebashkiakes Rami, gjatë ceremonisë së prezantimit të projektit të restaurimit të Pazarit Karakteristik.

Sot, jemi dëshmitarë të një ngjarjeje të madhe për Gjirokastrën, ngjarje që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ansambli i Pazarit Karakteristik është një nga pasuritë më të çmuara që të parët tanë, fisnikë e vizionarë na lanë, për ta ruajtur e trashëguar brez pas brezi. 
Si për të përmbushur këtë detyrim, gjatë këtyre 3 shekujve, gjirokastritët e kthyen Pazarin në qendrën e jetës, aty ku shkëmbeheshin mallra, biseda, diskutime e lajme.
E kthyen në qendrën e botës së tyre, sepse ky ansambël ofronte gjithçka që Gjirokastrës i duhej.
Ne, banorëve të Gjirokastrës, na dhemb çdo gur i këtij qyteti, çdo plasaritje në mure godinash, çdo dëmtim në trarët e çative. Na dhembi braktisja e Pazarit për vite me radhë, kur e humbi magjinë e tij si qendra e jetës. Por dhembja na ndihmoi të ringrihemi, ditë pas dite, edhe pse me mundim.
Dashuria na ndihmoi ta rikthejmë jetën dhe gjallërinë nën gur, në gur e mbi gur.
Sot, me fillimin e punimeve për restaurimin e plotë të Pazarit Karakteristik, ne vazhdojmë ta mbajmë këtë amanet, për ta rikthyer këtë ansambël jo vetëm në qendrën e jetës së pasurisë sonë botërore, por edhe në fokusin e mijëra e mijëra vizitorëve anembanë globit.
Jam e lumtur që bashkëpunimi i nisur rreth një vit më parë me Fondacionin Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim, qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Kulturës konkretizohet në këtë moment me ngritjen e skelave dhe fillimin e punës, për ta rikthyer Pazarin e Gjirokastrës ashtu si meriton të jetë.
Më lejoni që të falenderoj përzemërsisht Fondacionin Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim dhe anëtarët e bordit që sot na nderojnë me praninë e tyre, që me aktin fisnik të këtij donacioni të rëndësishëm, tregojnë dashamirësinë dhe ndjeshmërinë e tyre për Gjirokastrën.
Dëshiroj të falenderoj gjithashtu qeverinë shqiptare, e cila në këto 3 vite, me investimet e shumta, po e shndërron Gjirokastrën.
Por, Gjirokastra ka ende nevojë për mbështetjen tuaj. Rikonstruksioni i Pazarit, edhe pse jetik, përbën vetëm një pjesë të domosdoshmërisë që Qendra Historike ka për t’u kthyer plotësisht në funksion të banorëve dhe vizitorëve të shumtë.
By- pass i Qendrës Historike, rikonstruksioni i sheshit “Çerçiz Topulli” dhe ndërtimi i parkimit të nëndheshëm vijnë natyrshëm si prioritete, për të krijuar gjithë lehtësirat për banorët në jetën e tyre të përditshme, si dhe mundësitë që turistët ta shijojnë si duhet Gjirokastrën dhe të largohen me dëshirën për t’u rikthyer sërish.
Jam e sigurt se dashamirësia dhe vullneti i mirë i donatorëve ndërkombëtarë dhe ndihmës së pakursyer të qeverisë shqiptare, do bëjnë të mundur që kjo dëshirë të kthehet shumë shpejt në realitet.
Gjirokastra nuk ka bërë vetëm historinë e saj; ka bërë një pjesë të mirë të historisë kombëtare, madje edhe më tej. Ka dhënë vazhdimisht, pa kërkuar asgjë në këmbim. Jeta e këtij qyteti ka nisur mijëra vite më parë, do vazhdojë edhe për mijëra vite të tjerë. Ne jemi thjesht kalimtarë. Le të lëmë gjurmën tonë.

No comments:

Post a Comment