03 August 2016

Kjo eshte VKM e sigurise ne det,publiku le te flase se sa zbatohet dhe pse nuk veprojne Agjensite qeveritare qe harxhojne miliona dollare te taksapaguesve

VENDIM
Nr. 358, datë 1.6.2012

PËR SIGURINË NË DET, PLAZHE DHE NË UJËRAT E BRENDSHME NË THELLËSI TË TERRITORIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004 “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr. 9861, datë 24.1.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, të ligjit nr. 8663, datë 18.9.2000 “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 20 NT”, të ligjit nr. 8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8905, datë 6.6.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit detar nga ndotja dhe dëmtimi”, të ligjit nr. 8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”, dhe të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007 “Për turizmin”, me propozimin e Ministrit të Brendshëm dhe të Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i kushteve të sigurisë në plazhe, në zonat çlodhëse në bregdet dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit.
2. Kriteret e parashikuara në këtë vendim janë të vlefshme për të gjitha zonat bregdetare dhe ujërat e brendshme (në thellësi të territorit), në të cilat plazhet përdoren si zona çlodhëse dhe janë të autorizuara për përdorim publik.
3. Termat e përdorur në këtë vendim kanë kuptimin e mëposhtëm:
- “Plazh”, zona me rërë, zhavorr apo shkëmb që shtrihen në buzë të ujit të detit apo liqenit;
-  “Zonat e ujërave të brendshme (në thellësi të territorit)”, zonat ujore larg detit apo zonave bregdetare. Zakonisht kjo u referohet liqeneve, rezervuarëve dhe lumenjve;
-  “Plazh publik”, ato zona të plazheve, që janë të autorizuara dhe të hapura për përdorim publik e që ofrojnë mjete minimale për përdorim, me kushtet e sigurisë dhe higjienës;
-  “Leje”, u jepet personave privatë për të ofruar shërbime dhe mjete në plazhin publik;
-  “Varkë”, një nga llojet e mjeteve lundruese;
-  “Mjet ujor privat”, ato mjete lundruese me motor, që arrijnë shpejtësi të mëdha dhe që përdoren në zonat afër bregut të detit apo në ujërat në brendësi të territorit. Në këtë term përfshihen të gjitha mjetet lundruese motorike të shpejta, si: jet ski dhe motorët e ujit etj.;
-  “Motovarkë”, mjet lundrues motorik për argëtim dhe qëllime të tjera, me gjatësi deri në 24 metra;
-  “Përdorues”, personi që përdor apo është i ngarkuar për drejtimin e mjetit lundrues për argëtim, i cili mund të jetë ose nuk mund të jetë pronari i mjetit;
-  “Mjet lundrues për argëtim”, çdo varkë e çdo lloji, e destinuar për qëllime sportive, argëtuese apo peshkim çlodhës argëtues, me gjatësi deri në 24 metra, e matur sipas standardit europian, pavarësisht nëse ka motor apo jo. Ky përkufizim përmbledh edhe mjetet lundruese për argëtim dhe mjetet e tjera lundruese personale;
-  “Varkë me vela”, mjet lundrues për argëtim, i pajisur ose jo me një motor ndihmës, që lëviz si rezultat i efektit të erës mbi vela dhe që mund të ketë një motor të jashtëm apo çdo lloj motori tjetër ose pajisje mekanike të aftë për të lëvizur mjetin;
-  “I miratuar”, miratuar sipas një standardi të BE-së, standardit ISO apo një standardi kombëtar, të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare;
-  “Institucion përgjegjës”, një institucion qendror apo vendor i administratës publike, që ushtron një pushtet publik në fushën e zbatimit të këtij vendimi;
-  “Kushtet e sigurisë”, masat dhe pajisjet, të cilat duhen vendosur për uljen e rrezikut ndaj jetës së personave, të cilët ushtrojnë veprimtari çlodhëse në zona bregdetare të autorizuara;
-  “Kushtet higjienike”, masat që mundësojnë shmangien apo pakësimin e ndikimit dëmtues ndaj shëndetit të personave që ushtrojnë veprimtari çlodhëse në zona bregdetare apo në ujëra të brendshme në thellësi të territorit.
II. DETYRIMET E INSTITUCIONEVE PËRGJEGJËSE
4. Për planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e sigurisë në plazhe gjatë sezonit veror, në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë përgjegjëse institucionet e mëposhtme:
-  Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (Drejtoria e Përgjithshme Detare);
-  Ministria e Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme për Integrim dhe Decentralizim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit);
-  Ministria e Mbrojtjes (Roja Bregdetare);
-  Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
-  Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
-  Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;
-  Njësitë e qeverisjes vendore.
5. Njësitë e qeverisjes vendore kanë këto detyrime:
a)  Identifikimin e zonave të përshtatshme si zona çlodhëse gjatë sezonit veror, të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme për njerëzit. Për evidentimin e tyre, këto njësi të bashkëpunojnë edhe me Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes (Shërbimin Hidrografik Shqiptar).
b) Dhënien e autorizimit për plazhe të përshtatshme për përdorim publik, nëse ato nuk paraqesin rrezik për njerëzit nga pikëpamja shëndetësore/higjienike apo e sigurisë.
c)  Dhënien e lejeve për individë ose persona juridikë bashkë me autorizimin e përdorimit të plazheve apo zonave çlodhëse për përdorim publik.
Poseduesit e lejeve janë të detyruar të marrin dhe të zbatojnë me korrektësi të gjitha masat e parashikuara për sigurinë dhe shëndetin. Inspektimi i këtyre zonave do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare në bashkëpunim me institucionet e tjera që ngarkon me përgjegjësi ky vendim, sipas shtojcës A-1.
ç) Kontrollin dhe verifikimin e zbatimit të kushteve të sigurisë, të mirëmbajtjes dhe atyre shëndetësore/higjienike, sipas kritereve të përcaktuara në shtojcën B.
d)  Heqjen e lejeve, në rastet kur qiramarrësi nuk përmbush kushtet e sigurisë dhe ato
shëndetësore/higjienike.
dh) Vënien e gjobave në zbatim të akteve ligjore në fuqi, në rastet kur ka shkelje të kushteve të sigurisë dhe atyre shëndetësore/higjienike.
e)  Përcaktimin, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare:
-  të zonave (vendeve) të përdorimit të mjeteve lundruese çlodhëse, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen edhe korridoret e hyrjes dhe të daljes nga deti;
-  të distancave të ushtrimit të veprimtarisë së lundrimit nga këto mjete;
-  të orareve të përdorimit të tyre;
-  për vendosjen në vende të dukshme të shenjave sinjalizuese, të tilla si:
“KUJDES – ZONË KU NDALOHET PËRDORIMI I MJETEVE LUNDRUESE”; “KUJDES – ZONË E NDALUAR PËR TË NOTUAR” etj., të cilat të jenë në gjuhën shqipe dhe në anglisht.
6. Policia e Shtetit dhe Roja Bregdetare janë përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi në det. Policia e Shtetit përgjigjet për ujërat e brendshme dhe për ujërat në brendësi të territorit dhe Roja Bregdetare për detin territorial.
7.  Drejtoria e Përgjithshme Detare, njësitë e qeverisjes vendore dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim ndërmjet tyre, përgjigjen për zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të detyrave të mëposhtme:
a)  Verifikimin e zbatimit të ligjshmërisë dhe patrullimin periodik (nga Policia e Shtetit dhe policia bashkiake/komunale) përgjatë vijës bregdetare publike dhe në zonat çlodhëse të ujërave të brendshme në thellësi të territorit;
b)  Kryerjen e kontrolleve dhe marrjen e masave për të siguruar zbatimin e të gjitha kushteve të sigurisë, të higjienës dhe atyre të mirëmbajtjes.
8.  Subjektet e pajisura me leje për përdorimin e një plazhi në bregdet apo në ujëra të brendshme në thellësi të territorit kanë detyrimin e vendosjes, të mirëmbajtjes dhe të ruajtjes së kushteve higjienike e të sigurisë, të caktuara në këtë vendim, me shpenzimet e tyre. Në rast të kundërt, leja hiqet nga njësitë e qeverisjes vendore mbi bazën e konstatimit të bërë nga organet e kontrollit.
9.  Drejtoria e Përgjithshme Detare duhet të hartojë dhe të zbatojë rregulla për përdorimin e sigurt të mjeteve lundruese që përdoren për argëtim, licencimin e përdoruesve të varkave që do të përdoren për argëtim, përdorimin e sigurt të varkave të vogla me motor dhe lundrimin e sigurt në ujërat e brendshme në thellësi të territorit.
10.  Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, është përgjegjëse për hartimin, zbatimin dhe kontrollin e rregullave për autorizimin e qendrave të zhytjes sportive dhe të shkollave të trajnimit për zhytje sportive në përputhje me praktikat ndërkombëtare të zhytjes sportive, duke siguruar që këto qendra të kenë pajisje të mjaftueshme, të jenë të organizuara dhe të kenë instruktorë të certifikuar.
II.  Njësitë e qeverisjes vendore duhet të përgatitin dhe të mbajnë një inventar të lejeve të dhëna, datave të inspektimit për kontrollin e përmbushjes së kushteve dhe përcaktimin e qartë të vendndodhjes së veprimtarive të lejuara sipas këtij vendimi.
12. Policia e Shtetit, në bashkërendim me institucionet e tjera qendrore, të përmendura në këtë vendim, dhe njësitë e qeverisjes vendore, harton një plan të qëndrueshëm për sigurinë në plazhe, i cili duhet të rishikohet në muajin prill të çdo viti dhe të jetë i gatshëm për zbatim çdo sezon turistik, duke filluar nga data 1 qershor dhe duke përfunduar në datën 30 shtator.
III.             SHTOJCAT E VENDIMIT
13.             Këtij vendimi i bashkëlidhen këto shtojca, si pjesë përbërëse e tij:
Shtojca A-1: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për përdorim publik në bregdetin shqiptar dhe ujërat në brendësi të territorit.
Shtojca A-2: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për veprimtari zhytjeje.
Shtojca A-3: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për parashutizëm detar (parasailing, surfing).
Shtojca A-4: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për veprimtari rafting.
Shtojca B: Kërkesat për sigurinë dhe higjienën për plazhet publike.
Shtojca B-1: Rregullat e arta (të afishuara në çdo plazh publik).
Shtojca B-2: Rregullat e arta (për drejtuesit e mjeteve lundruese).
Shtojca C: Kushtet e sigurisë për përdorimin e varkave me motor dhe mjeteve lundruese me motor për përdorim personal në plazhet publike.
Shtojca D: Kërkesat për regjistrimin, certifikimin dhe licencimin e varkave me motor dhe mjeteve lundruese me motor për përdorim personal.
Shtojca E: Kërkesa për sigurinë në praktikimin e sporteve të aventurës, si: “Rafting”, “Kayake” dhe “Kanoe” në lumenj dhe në ujërat e brendshme.
IV.             DISPOZITA TË FUNDIT
14. Për shkeljet e kryera në përdorimin e mjeteve lundruese me motor, zbatohen sanksionet e parashikuara nga nenet 19-30, të ligjit nr. 8663, datë 18.9.2000 “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”.
15. Ministritë e linjës nxjerrin aktet e nevojshme nënligjore, në zbatim të këtij vendimi.
16. Çdo akt i mëparshëm nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohet.
17. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha

Shtojcat:
Shtojca A            Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për përdorim publik në bregdetin shqiptar dhe
A-1                      ujërat në brendësi të territorit
A-2                      Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për aktivitete zhytjeje
A-3                      Zonat e identifikuara për t’u autorizuar parashutizëm detar (parasailing) dhe surfing
A-4                      Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për aktivitetet rafting
Shtojca B             Kërkesat për sigurinë dhe higjienën për plazhet publike
Shtojca B-1         Rregullat e arta (të afishuara në çdo plazh publik)
Shtojca B-2         Rregullat e arta (për drejtuesit e mjeteve lundruese)
Shtojca C             Kushtet e sigurisë për përdorimin e varkave me motor dhe mjeteve lundruese me motor për përdorim personal në plazhet publike
Shtojca D            Kërkesat për regjistrimin, certifikimin dhe licencimin e varkave me motor dhe mjeteve lundruese me motor për përdorim personal
Shtojca E             Kërkesa për sigurinë në praktikimin e sporteve të aventurës, si: “Rafting”, “Kayake” dhe “Kanoe” në lumenj dhe në ujërat e brendshme

SHTOJCA A
A-1
ZONAT E IDENTIFIKUARA PËR T’U AUTORIZUAR PËR PËRDORIM PUBLIK NË BREGDETIN
SHQIPTAR DHE UJËRAT NË BRENDËSI TË TERRITORIT
1. Plazhet publike mund të jenë subjekt autorizimi në bregdet dhe në ujërat e brendshme të identifikuara si më poshtë:
a) Plazhi i Zogajt (Liqeni i Shkodrës)
b)Plazhi i Shirokës
c) Plazhi i Velipojës
d)Plazhi i Shëngjinit
e) Plazhi i Patokut
f) Gjiri i Lalzit
g) Plazhi i Currilave h) Plazhi i Durrësit i) Plazhi i Gjeneralit j) Plazhi i Spillesë k) Plazhi i Divjakës l) Plazhi i Semanit m) Plazhi i Poros
n) Plazhi i Zvërnecit (nga Hunda e Plakur deri te Porti i Peshkimit – Zvërnec)
o) Plazhi i Vjetër (nga Petrolifera deri te Moli Zero i Portit Vlorë)
p) Plazhi nga Shkolla e Marinës deri te Post-Blloku Pashaliman
q) Plazhi i Palasës
r) Plazhi i Dhërmiut
s) Plazhi i Jalit (Vuno)
t) Plazhi i Himarës (nga Livadhi deri në Gjirin e Llamanit)
u) Plazhi i Qeparoit
v) Plazhi i Borshit
w) Plazhi i Bunecit
x) Plazhi i Sarandës (nga Limioni deri në Ksamil)
y) Plazhi i Pogradecit z) Plazhi i Tushemishtit
zh) Plazhi i Linit
2. Në çdo zonë të identifikuar, lejet lëshohen nga njësitë e qeverisjes vendore, duke i përkufizuar si plazhe publike.

A-2 ZONAT E IDENTIFIKUARA PËR T’U AUTORIZUAR PËR AKTIVITETE ZHYTJEJE
1. Zonat publike të hapura për aktivitete të zhytjes sportive:
a) Gjiri i Vlorës, zona nga Tuneli deri Jonufër: deri në 500 m nga bregu;
b)Zona e Karaburunit nga Raguza I deri në Shën Jan: deri 500 m nga bregu;
c) Zona e Dhërmiut: 500 m nga bregu;
d)Gjiri i Himarës: 500 m nga bregu;
e) Bregu i Lukovës: deri 500 m nga bregu;
f) Plazhi i Bunecit: deri 500 m nga bregu;
g) Gjiri i Llamanit: deri 500 m nga bregu;
h) Në veri Kepi i Paladhës: 100 m nga bregu; i) Ksamil: 200 m nga bregu.
2. Gjatë zhytjeve duhet të vendosen bovat dhe sinjalizimet përkatëse për devijimin e mjeteve lundruese dhe që tregojnë se ka persona nën ujë.
Në rastet kur zhytësit janë me kombësi të huaj, krahas plotësimit të dokumentacionit përkatës, këtë aktivitet duhet ta kryejnë në bashkëpunim me shoqatat e njohura të zhytësve shqiptarë.
3.  Qendrat për zhytje sportive dhe shkollat e trajnimit për zhytje sportive duhet të përmbushin kërkesat e rregullores së përgatitur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare, sipas pikës 10 të vendimit.
4.  Siguria e aktiviteteve për zhytje sportive është nën përgjegjësinë e personit të autorizuar për ofrimin e këtij shërbimi (qendra apo shkolla e autorizuar). Aktivitetet e zhytjes lejohen vetëm gjatë orëve të ditës dhe deri në atë thellësi maksimum, që nuk përfshihet në kërkesat e dekompresionit.
5.  Pasuritë e fundit të detit janë pronë e shtetit shqiptar. Ndalohet zhytja në zonat nënujore me vlera historike dhe mbetje arkeologjike, si dhe në anijet dhe objektet e mbytura, të cilat mbrohen sipas ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara.
6.  Ndalohet përdorimi i pushkëve nënujore, nëse përdoren së bashku me respiratorë nënujorë (autorespiratorë) apo natën nga perëndimi deri në agim.
7.  Ndalohet përvetësimi i objekteve me vlera arkeologjike, historike dhe kulturore, të nxjerra nga fundi i detit. Personat fizikë ose juridikë që gjejnë në mënyrë të rastësishme ose jo objekte të tilla, janë të detyruar që brenda 20 ditëve të bëjnë deklarimin e tyre pranë autoriteteve përkatëse vendore të Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe Policisë Kufitare dhe të Migracionit. Këto të fundit, pas marrjes në dorëzim dhe regjistrimit të objekteve të deklaruara, bëjnë njoftimin përkatës pranë institucioneve shtetërore të specializuara përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik dhe drejtorive rajonale të kulturës kombëtare.
8.  Mosdeklarimi i objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore të nxjerra nga fundi i detit ndëshkohet sipas ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar.


9. Gjatë aktivitetit të zhytjes zbatohen të gjitha ndalimet e përcaktuar në legjislacionin që rregullon veprimtarinë e peshkimit.

A-3 ZONAT E IDENTIFIKUARA PËR T’U AUTORIZUAR PËR PARASHUTIZËM DETAR
(PARASAILING) DHE SURFING
1. Zonat publike të autorizuara për parasailing dhe rafting:
a) Plazhi i Shëngjinit: 1 milje nga bregu;
b)Gjiri i Lalzit: 1 milje nga bregu;
c) Plazhi i Divjakës: 1 milje nga bregu;
d)Plazhi i Semanit: 1 milje nga bregu;
e) Plazhi i Poros: 1 milje nga bregu;
f) Plazhi i Vjetër Vlorë (nga Moli Jugor i Petroliferës deri në Molin “Zero”): 1 milje nga bregu;
g) Plazhi i Ri Vlorë (nga Moli i Naftës deri te Moli i Radhimës): 1.5 milje nga bregu; h) Plazhi i Palasës: 1 milje nga bregu;
i) Plazhi i Dhërmiut: 1 milje nga bregu; j) Plazhi i Borshit: 1 milje nga bregu.

A-4 ZONAT E IDENTIFIKUARA PËR T’U AUTORIZUAR PËR AKTIVITETET RAFTING
1. Zonat publike të hapura për aktivitete rafting:
a) Kanioni i lumit Osum, itinerari 16 km nga fshati Hambull deri në Çorovodë;
b)Lumi Osum, itinerari Vodicë-Berat;
c) Lumi Vjosë, itinerari Çarshovë-Përmet;
d)Lumi Vjosë, itinerari 13 km, gryka e Këlcyrës;
e) Gryka e Devollit, 14 km;
f) Kanioni i Valbonës.

SHTOJCA B KËRKESAT PËR SIGURINË DHE HIGJIENËN PËR PLAZHET PUBLIKE
1. Çdo zonë e caktuar sa më sipër duhet të kufizohet me distancën e lejuar nga bregu me anë të bovave lundruese dhe shenjave përkatëse të sigurisë dhe rrezikut:
a)             Bovat sinjalizuese për zonat e notuesve:
Zonat për notim duhet të jenë të kufizuara me bova (ku përdorimi i varkave dhe mjeteve ujore me motor është i ndaluar);
b)            Sinjalizimin e zonave të përdorimit të mjeteve lundruese për argëtim:
Zonat për përdorimin dhe ankorimin e mjeteve lundruese me motor, jashtë zonave të përcaktuara për notim, duhet të jenë të kufizuara, duke ofruar vende për ankorim (kalata), vendparkim në tokë dhe bova për përcaktimin e korridoreve për afrimin dhe parkimin në tokë të mjeteve ujore me motor (ku aktivitetet e notimit janë të ndaluara);
c)             Të vendosen flamuj me shkop (çdo ditë gjatë sezonit të verës, mbajtësi i lejes së përdorimit të plazhit apo ndonjë nga punonjësit e tij, duhet të vendosë një flamur në përputhje me kushtet e motit dhe të detit):
i) Flamuri i gjelbër, autorizohet notimi;
ii) Flamur i kuq, larja është e ndaluar;
iii) Shkopi i flamurit duhet të jetë 3.5 metër i lartë, i dukshëm në të gjithë zonën.
Shënim. Flamuri mund të ndryshohet gjatë ditës, nëse ndryshojnë kushtet e motit apo të detit.
iv) Në plazhet e autorizuara, në shkopin e flamurit duhet të ketë edhe një poster me informacion mbi kushtet e plazhit “plazh i përshtatshëm për notim” në shqip dhe anglisht, me shkronja blu;
v) Për plazhet e paautorizuara, posteri duhet të tregojë “plazh i pasigurt për notim”, në shqip dhe anglisht me shkronja të kuqe.
2.  Prania e flamujve dhe posterave për siguri dhe higjienë në vende të paautorizuara, është përgjegjësi e njësive të qeverisjes vendore;
3.  Orari i hapjes së plazheve të jetë nga ora 08:00 deri në perëndim të diellit, orar gjatë të cilit duhet të ofrohet shërbimi i vrojtuesve nga njësitë e qeverisjes vendore.
4.  Çdo zonë e deklaruar për plazh dhe aktivitete të tjera çlodhëse duhet të ketë:
a)    Kulla vrojtimi për çdo 200-250 metra plazh me lartësi 3 metra;
b)   Kulla e vrojtimit duhet të ketë vrojtues, të veshur në mënyrë të përshtatshme dhe të trajnuar me kompetencat për të shpëtuar jetën dhe për ndihmën e parë;
c)    Vrojtuesit duhet të jenë me shërbim gjatë gjithë orarit që plazhi është i hapur;
d) Kulla e vrojtimit duhet të jetë e pajisur me elementet që vijojnë:

NR.
ELEMENTI
SASIA
1
Dylbi
Një
2
Megafona
Një
3
Bilbil metalik
Një
4
Barrelë, barrelë kosh dhe kollare qafe
Një
5
Kuti të ndihmës së parë të pajisur për t’ju përgjigjur qëllimit
Një
6
Kamerdare (rreth shpëtimi, salvaxhente), bovë shpëtimi për çdo vrojtues
Një
7
Kamerdare (rreth shpëtimi, salvaxhente), me perimetër shpëtimi 30 metër për çdo 200-250 metra plazh
Një
8
Mjete komunikimi apo telefona
Një

e)  Kanalet për komunikim emergjence:
i) Qendra e SAR Tiranë: Tel. 042 240081
ii) QNOD: Tel. 052 260555
iii) Policinë e Shtetit: Tel. 129
iv) Nr. tel. të Policisë së Rendit dhe asaj Kufitare Rajonale
v) Ambulancën 127
vi) Kapiteneria Detare:
1) Durrës: Tel. 0522/20018, VHF CH 15, CH 16
2) Vlorë: Tel. 033 202982, VHF CH 12, CH 16
3) Himarë: Tel. 039 22412, VHF CH 14, CH 16
4) Sarandë: Tel. 085 22734, VHF CH 11, CH 16
5) Shëngjin: Tel 028 122203, VHF CH 71 CH 16
5. Çdo zonë e deklaruar më sipër për plazh dhe aktivitete të tjera çlodhëse, duhet të pajiset me masa higjienike si më poshtë:
a) Të ofrojë tualete (portative, kimike apo të ngjashme me to) me shërbim pastrimi ditor;
b) Të ofrojë kosha apo kazanë me kapak dhe të organizohet një sistem për pastrimin e tyre ditor (kur është e nevojshme edhe çdo ditë);
c) Të ofrojë shërbim për pastrimin e plazhit në mëngjes dhe në mbrëmje pas mbylljes së plazhit;
d) Të instalojë dushe me ujë të ëmbël.
6. Ofrimi i shërbimeve të përmendura më sipër bëhet me shpenzimet e mbajtësit të lejes për zonat e autorizuara si plazhe publike.

SHTOJCA B-1
RREGULLAT E ARTA
(TË AFISHOHEN NË ÇDO PLAZH PUBLIK)
1.  Noto vetëm në zonat e autorizuara dhe me sinjalistikë;
2.  Respekto flamurin dhe informacionin e afishuar:

a)    Flamuri i gjelbër - lejohet notimi;
b) Flamur i verdhë - notim me masa mbrojtëse; dhe
c)    Flamur i kuq - ndalohet notimi.

3.  Mos shko të notosh nën ndikimin e alkoolit apo drogave;
4.  Mos noto nëse ke ndonjë problem fizik;
5.  Pusho për një orë pas ngrënies (drekës) para se të shkosh për notim;
6.  Të miturit nën 16 vjeç duhet të jenë gjithmonë nën mbikëqyrjen e më të rriturve;
7.  Mos u hidh nga shkëmbinj apo platforma;
8.  Ndiq udhëzimet e vrojtuesit (rojës së shpëtimit të jetës).
“Në rast EMERGJENCE në det telefono …….”

SHTOJCA B-2
RREGULLAT E ARTA PËR DREJTUESIT E MJETEVE LUNDRUESE
(NJË KOPJE T’I TREGOHET, SHPJEGOHET DHE JEPET ÇDO DREJTUESI MJETI LUNDRUES)
1.  Mosha minimale e drejtimit është 18 vjeç; personat me moshë nga 16 vjeç deri në 18 vjeç lejohen të drejtojnë mjetet lundruese me motor vetëm të shoqëruar nga një prind.
2.  Para dhe gjatë lundrimit, drejtuesi i mjetit apo personi i ngarkuar në bord duhet:
a) Të sigurohet që të gjithë personat në bord përdorin një lloj të miratuar jeleku shpëtimi në përputhje me certifikatën e mjetit lundrues, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare;
b)Lloji i jelekut të shpëtimit duhet t’u përshtatet përmasave të personit që do ta përdorë (të ofrohen jelekë shpëtimi për fëmijët);
c) Përpara fillimit të lundrimit me një varkë me motor apo me vela, kapiteni duhet të sigurohet që të gjithë personat të jenë të ulur;
d)Lundrimi lejohet vetëm në zonat e autorizuara;
e) Lundrimi në zonat e përcaktuara për notim është i ndaluar;
f) Gjatë gjithë kohës të respektohen rregullat e lundrimit (COLREG);
g) Të mbajë distancat e sigurisë:

a) 50 metra nga jet ski-të, motorët e ujit apo mjetet e tjera lundruese me motor;
b) 100 metra nga notuesit;
c) 200 metra nga anijet në zonën e ankorimit dhe platformat larg bregut.
3. Pronari apo personi që jep me qira duhet të sigurohet për kushtet teknike dhe të sigurisë për pajisjet që ofron dhe një trajnim minimal për personin e ngarkuar për drejtimin e mjetit (drejtuesi i mjetit lundrues), midis të tjerash:
a) Trajnim bazë për përdorimin e mjetit lundrues;
b) Njohuri të përgjithshme mbi zonën, kushtet e motit, rreziqet dhe afatin kohor të autorizuar;
c) Kushtet teknike të motorit;
d) Rripin e sigurisë që vihet në dorë për fikje automatike të motorit apo litarin e sigurisë (për skafet, jet ski dhe motorët e ujit);
e) Karburant të mjaftueshëm për lundrimin e planifikuar;
f)  Certifikata origjinale e mjetit dhe licencat e ekuipazhit (nëse kërkohet sipas llojit të mjetit) duhet të mbahen në bord;
g) Të kontrollohen dhe të mbahen në bord të gjitha pajisjet e sigurisë, në sasi të mjaftueshme për të gjithë personat në bord (në varësi të mjetit të lundrimit), në përputhje me certifikatën e mjetit lundrues;
h) Të kontrollohet gjendja e pajisjeve të komunikimit (nëse kërkohet sipas llojit të mjetit të lundrimit);
4. Drejtuesi i mjetit lundrues apo personi i ngarkuar, duhet të sigurohet që:
a)         Të mos merren më shumë njerëz në bord se numri i autorizuar sipas certifikatës;
b) Kur mjeti është duke lundruar, të gjithë personat duhet të përdorin jelekët e shpëtimit (kostumet dhe kokoret, në varësi të llojit të aktivitetit);
c)  Të mbahet një kopje e hartës detare;
d) Të informohet Kapiteneria e Portit, Salla Operative e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit apo zyra që jep mjetin me qira mbi itinerarin e lundrimit, qëllimin e aktivitetit dhe kohën e vlerësuar të kthimit (ETA) në vendin origjinal të nisjes;
e) Gjatë afrimit për ankorim apo parkim në tokë, shpejtësia duhet të ulet në 4 nyje;
f) Lundrimi apo peshkimi në zonën e radit të anijeve është i ndaluar;
g) Lundrimi nëpër kanale, gjire, porte dhe zona të ngushta të bëhet me shpejtësi deri në 4 nyje.

“Në rast EMERGJENCE në det bëj thirrje për të raportuar në kanalin 16 VHF (Kapitenerinë e Portit), në zyrën që ke marrë me qira apo telefono në numrin telefonik sipas tabelës, për të informuar llojin e emergjencës, vendndodhjen dhe gjendjen e ekuipazhit apo
pasagjerëve në bord”

SHTOJCA C
KUSHTET E SIGURISË PËR PËRDORIMIN E VARKAVE ME MOTOR DHE MJETEVE
LUNDRUESE ME MOTOR PËR PËRDORIM PERSONAL NË PLAZHET PUBLIKE
1. Për të drejtuar një varkë me motor apo me vela, drejtuesi duhet të ketë lejedrejtimin përkatës të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, duke siguruar përmbushjen e të gjitha detyrimeve të përcaktuara nga rregullorja përkatëse;
Përjashtohen nga kjo kërkesë të gjitha mjetet e vogla ujore me fuqi motorike nën 30 kW dhe motorët e detit nën 132.39 kW.
2.  Distanca maksimale e lundrimit nga bregu më i afërt për këto mjete lundruese të jetë jo më shumë se 2 milje barkat dhe 1 milje për motorët e detit.
3.  Mosha minimale për të drejtuar një varkë me motor apo me vela është 18 vjeç; personat me moshë nga 16 deri 18 lejohen të drejtojnë këto mjete vetëm kur janë të shoqëruar nga prindërit.
4.  Përpara lundrimit, të gjithë personat në bord duhet të përdorin jelekët e shpëtimit në përputhje me certifikatën e mjetit lundrues të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare. Përdorimi i jelekëve të shpëtimit në mjetet lundruese me motor për përdorim personal është i detyrueshëm. Përdorimi i kostumit dhe kokores bëhet në përputhje me rrezikun e llojit të aktivitetit (ngritje, hedhje, gara etj.).
5.  Poseduesit e mjeteve ujore janë të detyruar t’i sigurojnë këto mjete pranë shoqërive të sigurimit në përputhje me ligjin nr. 10076, datë 12.2.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, kreu VII “Për siguracionin e mjeteve të vogla detare”.
6.  Ndalohet lundrimi në rrugëkalimet detare, ngushticat, kanalet dhe zonat e kufizuara ujore.
7.  Pronari apo personi që jep mjetin me qira duhet të verifikojë kushtet teknike dhe të sigurisë të jet ski-ve dhe të mjeteve të tjera me motor, që përpara përdorimit. Gjithashtu, përveç sa parashikohet në shtojcën B-2, të përmbushen edhe këto kritere:
a)  Certifikata origjinale e mjetit, certifikata e përdorimit dhe licencat e ekuipazhit (nëse kërkohet sipas llojit të mjetit) duhet të mbahen në bord;
b) Të gjitha mjetet lundruese të regjistruara duhet të kenë të shënuar në vend të dukshëm emrin dhe numrin e matrikullës në përputhje me rregullat që zbaton Drejtoria e Përgjithshme Detare;
c) Të kontrollohen dhe të mbahen në bord të gjitha pajisjet e sigurisë në sasi të mjaftueshme për të gjithë personat në bord (në varësi të mjetit të lundrimit) në përputhje me certifikatën e mjetit lundrues;
d) Të kontrollohet gjendja e pajisjeve të komunikimit (nëse kërkohet sipas llojit të mjetit të lundrimit);
e) Të mos merren më shumë njerëz se numri i autorizuar sipas certifikatës;
f)  Kur mjeti është duke lundruar, të përdoren në mënyrë të përhershme jelekët e shpëtimit (kostumet dhe kokoret, në varësi të llojit të aktivitetit);
g) Të mbahet një kopje e zvogëluar e hartës detare apo sipas rastit dhe llojit të mjetit lundrues, ndonjë pajisje e ngjashme elektronike për të njëjtin qëllim;
h) Të informohet Kapiteneria e Portit, Salla Operative e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, apo dhe zyra që jep mjetin me qira mbi itinerarin e lundrimit, qëllimin e aktivitetit dhe kohën e vlerësuar të kthimit (ETA) në vendin origjinal të nisjes;
i) Gjatë afrimit për ankorim apo parkim në tokë, shpejtësia duhet të ulet në 4 nyje;
j) Lundrimi apo peshkimi në zonën e radit të anijeve është i ndaluar;
k) Lundrimi nëpër kanale, gjire, porte dhe zona të ngushta të bëhet me shpejtësi deri në 4 nyje.

SHTOJCA D
KËRKESAT PËR REGJISTRIMIN, CERTIFIKIMIN DHE LICENCIMIN E VARKAVE ME MOTOR DHE MJETEVE LUNDRUESE ME MOTOR PËR PËRDORIM PERSONAL
1.             Regjistrimi i varkave me motor:
a) Të gjitha varkat, pavarësisht nga lloji dhe përmasat duhet të regjistrohen në regjistrin e anijeve te Drejtoria e Përgjithshme Detare;
b) Regjistri i Anijeve përmban të dhëna për anije dhe mjete të tjera lundruese të llojeve dhe përmasave të ndryshme. Në mënyrë të veçantë për zbatimin e këtij vendimi përcaktohet regjistri i anijeve për mjetet lundruese për argëtim dhe mjetet e vogla lundruese;
c) Regjistri i Anijeve për mjetet lundruese për argëtim dhe mjetet e vogla lundruese mbahet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare;
d) Varkat dhe mjetet lundruese me motor inspektohen në përputhje me llojin e tyre dhe pajisen me certifikatën e pronësisë, certifikatën e sigurisë për mjetet lundruese për argëtim apo certifikatën e sigurisë për mjetet lundruese të vogla me motor, sipas rregullave të miratuara për këtë qëllim nga Drejtoria e Përgjithshme Detare;
e) Varkat dhe mjetet lundruese me motor duhet të ruajnë karakteristikat dhe pronësinë e tyre. Çdo ndryshim duhet të raportohet në zyrën e regjistrimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare, të cilët bëjnë ndryshimet në regjistrin e të dhënave, dhe nëse kërkohet, lëshojnë një certifikatë të re për mjetin lundrues.
2.             Dokumentacioni që kërkohet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare:
a)  Për regjistrimin e një varke me motor apo mjeti lundrues me motor subjektet e interesuar aplikojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
b) Dokumentet që kërkohen janë si më poshtë:
i) Formularin e aplikimit për regjistrim (në përputhje me rregullat e Drejtorisë së Përgjithshme Detare);
ii) Dokumentet që duhet të bashkëngjiten:
1)    Për mjetet lundruese shqiptare:
a)  Nëse është mjet i ri lundrues i ndërtuar brenda vendit, certifikata nga kompania e ndërtimit, kontrata e shitjes dhe fatura në emrin e blerësit;
b) Për mjetet e përdorura, të sjella në tregun shqiptar, duhet fatura në emrin e blerësit, që provon se blerësi është pronari ligjor i mjetit lundrues.
2)  Për varkat dhe mjetet lundruese të huaja, të importuara nga jashtë, kërkohet fatura e zhdoganimit, si dhe fatura e blerjes në emrin e blerësit. Nëse mjeti është i regjistruar më parë në një vend tjetër, blerësi duhet të disponojë certifikatën e anulimit të regjistrimit të mëparshëm;
3)  Deklaratën e noterizuar nga një ekspert teknik (nga Departamenti i Shkencave Nautike apo inxhinierisë navale në Universitetin e Vlorës i autorizuar të lëshojë një deklaratë të tillë, regjistri Shqiptar i Anijeve, apo nga organizata të tjera të njohura), që tregon detajet teknike dhe dimensionet e mjetit lundrues, në përputhje me rregullat e caktuara në këtë shtojcë të vendimit.
3.             Tipologjia dhe kategorizimi i varkave me motor.
Kategorizimi i varkave për argëtim dhe mjeteve lundruese me motor duhet të bëhet në përputhje me llojin dhe kategorinë, të përcaktuara në rregulloren e Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
a)             Mjetet lundruese me motor për përdorim personal dhe hovercraftet:
Këtu përfshihen të gjitha llojet e mjeteve lundruese të shpejta, si: jet ski, motorë uji të të gjitha llojeve dhe mjete lundruese me motor të ngjashme me to. Hovercraftet e vogla që përdoren për sporte ujore, gjithashtu mund të përfshihen në këtë kategori.
Nënkategorizimi i mjeteve lundruese me motor për përdorim personal bëhet në përputhje me fuqinë motorike të tyre (kilo-watt).
b)            Varkat me motor:
Nënkategorizimi i varkave me motor, përcaktohet në përputhje me fuqinë motorike të tyre (kW).
c)             Varkat me vela:
Nënkategorizimi i tyre përcaktohet sipas gjatësisë dhe numrit të motorëve.
4.             Licencimi i përdorimit të mjeteve lundruese me motor.
Lloji i licencës dhe detyrimet përkatëse të subjekteve të licencuara duhet të përcaktohen në një rregullore të veçantë “Për licencimin e përdoruesve të mjeteve lundruese argëtuese me motor”, të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme Detare – Kapiteneria e Portit.
5.             Qendrat e trajnimit për sportet ujore dhe klubet e sporteve ujore.
Klubet për sportet ujore dhe shkollat e trajnimit duhet të autorizohen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare.
6.             Kufizimet e moshës për përdoruesit e mjeteve lundruese me motor për sporte ujore.
Mosha minimale për të marrë autorizim për përdorimin e mjeteve lundruese me motor për argëtim apo aktivitete sportive është 18 vjeç. Personat e moshës 16 deri në 18 vjeç mund të përdorin mjetet lundruese me motor për argëtim apo aktivitete sportive në varësi të kategorisë së mjetit dhe gjithmonë kur janë të shoqëruar nga prindi.

SHTOJCA E KËRKESA PËR SIGURINË NË PRAKTIKIMIN E SPORTEVE TË AVENTURËS, SI: “RAFTING”, “KAYAKE” DHE “KANOE” NË LUMENJ DHE NË UJËRAT E BRENDSHME
1.             Kërkesat për organizimin
Të gjithë individët dhe personat juridikë të interesuar në dhënien e shërbimeve për praktikimin e sporteve të aventurës duhet të autorizohen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, sipas nevojave dhe kërkesave të treguara në rregulloren e miratuar sipas pikës 10 të këtij vendimi.
Dhënia e shërbimeve duhet planifikuar në mënyrën e duhur, të jetë e organizuar, e pajisur me personel të trajnuar dhe me të gjitha elementet e nevojshme për të siguruar një praktikim të sigurt të sportit dhe të mbrojtjes së mjedisit.
2.             Kërkesat për sigurinë
a) Ofruesi i shërbimeve duhet të sigurojë kushtin e personelit të trajnuar të aftë dhe të certifikuar, si guida apo si instruktorë, për të menaxhuar rrethana të rrezikshme, për të realizuar shpëtimin, evakuimin dhe ndihmën e parë në rastet kur kjo kërkohet në praktikë.
b) Ofruesi i shërbimeve duhet të ofrojë të gjitha pajisjet dhe udhëzimet e nevojshme për klientët, me qëllim praktikimin e sigurt të sportit bazuar në rregullat kombëtare dhe në praktikat ndërkombëtare;
c)  Të hartojë dhe të zbatojë procedurat e nevojshme për të mbajtur në nivel të qëndrueshëm pune pajisjet, para, gjatë dhe pas praktikës.
d) Të hartojë dhe të zbatojë procedurat e nevojshme për të ruajtur sigurinë e pjesëmarrësve gjatë kryerjes së veprimtarisë sportive, si dhe për të dhënë në të njëjtën kohë një përgjigje të duhur për emergjencat që mund të ndodhin.
e)  Përpara se të fillojë aktiviteti, guida apo instruktori sportiv, duhet të kryejë vlerësimin e riskut, të aftësive dhe të kapaciteteve individuale të klientëve të ndryshëm, të përfshirë në këtë aktivitet sportiv specifik, duke siguruar që të gjithë ata të pajisen në mënyrën e duhur, të dinë të përdorin pajisjet, si dhe të zbatohen masat e sigurisë.
f)  Ofruesi i shërbimeve duhet që të përgatisë paraprakisht një plan të përgjithshëm përgjigjeje emergjence me përshtatje për vende specifike, duke përditësuar kushtet përpara fillimit të çdo praktike sportive.
g)  Përpara fillimit të aktivitetit, stacioni vendor i policisë duhet informuar në lidhje me përshkrimin, vendndodhjen, pjesëmarrësit, sistemin e komunikimit, kohën e vlerësuar të fillimit dhe të mbarimit të aktivitetit. Pas mbarimit të aktivitetit, policia duhet njoftuar në rast se kanë ndodhur probleme me sigurinë gjatë zhvillimit të tij.
h) Në përputhje me nivelin e rrezikshmërisë që pritet të shoqërojë pjesëmarrjen në aktivitet, ofruesi i shërbimit u sugjeron pjesëmarrësve kryerjen e sigurimit të shëndetit dhe jetës në rast aksidenti.
3. Në pajisjet e sigurisë përfshihen ato që tregohen më poshtë:
a)  Kutia e ndihmës së shpejtë, me material të mjaftueshëm dhe të duhur për aktivitetin sportiv;
b) Helmetë sigurie dhe jelek mbrojtës të një tipi të miratuar (nga Drejtoria e Përgjithshme Detare) me specifikime për tipin e sportit, kostume zhytjeje, litarë shpëtimi (50 metra), çanta shpëtimi, rrema/lopata në sasi të mjaftueshme për të gjithë pjesëmarrësit, ganxha shpëtimi të vendosura te jeleku i shpëtimit të guidës/instruktorit etj. Të gjitha pajisjet dhe jelekët e shpëtimit duhet që të shënohen në mënyrë të qëndrueshme me emrin e ofruesit të shërbimeve;
c)    Paketa/seti i riparimit të raftit;
Litar shpëtimi rezervë (50 metra) dhe rrema/lopata rezervë.

No comments:

Post a Comment