26 August 2016
Inxh. MIHAIL CICO replikon me Profesor Arqile Berxhollin lidhur me Aeroportin e Gjirokastres
Ne nje pos tim ne rrjetin social Facebook Inxhinieri i njohur gjirokastrit shkruan:
E lexova me vëmendje artikullin e zotit Berxholli në gazetë. Duhet të kemi parasysh që ai ishte një artikull gazete dhe jo një studim, ndërkohë që kishte edhe ngjyra politike pasi z. Berxholli përmendte persona dhe premtime politike, në ndonjë rast edhe pa arsye të nevojshme. Jo pa qëllim them "zoti" Bërxholli dhe jo "profesori" siç e nominojnë komentuesit e tjerë, sepse z. Berxholli është mësues i Historisë dhe Gjeografisë për të cilën është diplomuar dhe studiues i shquar në këto fusha në të cilat ka marrë edhe shumë vlerësime. Në momentin që ky zotëri i nderuar, reket të japi mendime për ndërtimin e aeroporteve dhe njëkohësisht të hyjë në detaje izolimit të ujërave nëntokësore apo të ndikimit të mjegullës dhe faktorëve të tjerë për funksionimin e aeroportit, nuk mendoj se është mendimi i një profesori apo studiuesi të fushës përkatëse. Shtoi këtij opinioni edhe faktin që është vetëm një artikull gazete, e bën këtë mendim të largët me një studim të mirëfilltë. Shtoi këtij opinioni edhe ngjyrat politike që përmend "profesori", çorba nuk hahet lehtë.
Në kundërshtim me mendimet e ARTIKULLIT NË GAZETË, dua të theksoj se vështirësitë teknike për ndërtimin e një aeroporti që përmenden në ARTIKULL, janë lehtësisht të tejkalueshme dhe me kosto aspak frikësuese. Ka shumë vite që aeroportet ndërtohen me lehtësi në det, në bazamente ranore (të gjitha vendet arabe kanë këto kushte) në vende me kushte shumë më të këqia atmosferike (në të gjitha shtetet e Amerikës dhe Europës veriore kushtet janë shumë më ekstreme se sa 30 ditët me mjegull të luginës së Drinos) dhe punimet realizohen me materiale tradicionale. Pista e aeroportit që diskutohet për Gjirokastrën është rreth 90,000 m2 që me asfalt shtrohet për një javë ndërsa izolimi i ujërave nëntokësore (përveçse nuk janë në fushën e studimeve dhe kompetencën e z. Berxholli), kanë vite që zgjidhen lehtësisht me materiale ndërtimore që përdoren gjerësisht edhe në Shqipëri. Për të mos hyrë thellë në diskutime dhe debate teknike, dua të sjell krahasimin me aeroportin e Kukësit që është ndërtuar me shumë më pak fonde sa sa ato që përmenden rëndom në artikuj e opinione, por që edhe është menduar të funksionojë në kushte meterologjike shumë me të disfavorshme me luginën e Drinos. Unë bashkohem me mendimin e Z. Berxholli se puna për aeroportin nuk mund të fillojë mbi bazën e "studimeve" anonime të të diplomuarve kudo qofshin, pa projektin e detajuar përkatës me firmë dhe vule nga të gjithë ekspertët përkatës (që në rastin e një vepre aeroportuale duhet të jenë bajagi) por edhe të një kontrate përkatëse ku të merren përgjegjësitë teknike ekonomike për këtë vepër shumë të rëndësishme.
Personalisht vlerësoj se çdo përpjekje që bëhet nga Forumi dhe nga çdo qytetar duhet vlerësuar, mbështetur dhe mbi të gjitha duhet falenderuar. FALENDERUAR (që të mos ju kalojë pa lexuar).
Njëkohësisht, mendoj se të thuash vetëm vështirësitë dhe të zezat pa filluar mirë është dashakeqësi. Unë mund të rendis me dhjetëra probleme dhe vështirësi që ka kjo vepër dhe që ekspertët do duhet të zgjidhin (dhe me siguri do ti zgjidhin) por kam frikë se do më dukej vetja si ai personazhi që luante Albert Verrija në filmin "Kur zbardhi një ditë". . .kur po ndërtohej ura.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment