Kompania
e Gazsjellësit TransAdriatik, TAP, tha se gjatë gërmimeve për përmirësimin e rrugës
Çorovodë –
Polenë, Skrapar, u zbulua një objekt arkeologjik i ruajtur në gjendje të
mirë. Sipas vlerësimit të specialistëve të trashëgimisë kulturore objekti është një kapitel 40 cm i lartë i
dekoruar me motive floreale të gdhendura dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një
monumenti të rëndësishëm fetar të kësaj zone. Ekspertët e trashëgimisë
kulturore vlerësojnë se objekti arkeologjik i zbuluar është i shekullit të VI -të erës sonë dhe i
përket një monumenti të hershëm të krishterë. Lënda
e parë e përdorur për kapitelin është gur
gëlqeror cilësor dhe trupi i tij
është zbukuruar me vija të thelluara që krijojnë tetë figura florale të
përsëritura dhe që lidhen në mënyrë harmonike me njera-tjetrën. Përmasat, forma
dhe zbukurimet e tij sugjerojnë krahasime relativisht të sigurta me shumicën e monumenteve
paleokristiane në Shqipëri. Objekti arkeologjik, sipas Kompanisë TAP, u
identifikua nga një prej manovratorëve që po kryente gërmime gjatë
rehabilitimit të rrugës i cili menjëherë sinjalizoi ndërprerjen e punimeve. Nga
kontrollet dhe inspektimet e zonës nuk janë zbuluar objekte të tjera
arkeologjike. Megjithatë, ky zbulim ofron fakte të reja mbi rëndësinë e kësaj
zone gjatë antikitetit të vonë. Kapiteli u është dorëzuar autoriteteve
shqiptare për vlerësime të mëtejshme si edhe për t’i gjetur një “shtëpi” të re
artefaktit ku mund të ekspozohet.







No comments:
Post a Comment