Ne 40 vjetorin e Kartes se Zerit te Amerikes Drejtorja e Zërit të Amerikës Amanda Bennett percolli kete mesazh:
Zëri i
Amerikës shënon këtë javë një përvjetor të rëndësishëm. 40 vjet më parë, më 12
korrik të vitit 1976, Presidenti Gerald Ford nënshkroi ligjin për Kartën e
Zërit të Amerikës, duke institucionalizuar kështu standartet e larta të
gazetarisë. Që nga
themelimi i tij në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Zëri i Amerikës u
angazhua të thotë të vërtetën. Përgjatë ditëve të errëta të luftës botërore,
trazirave të Luftës së Ftohtë, përballë terrorizmit, apo në krah të përpjekjeve
të njerëzimit për të fituar lirinë, Zëri i Amerikës i ka shërbyer botës si
shembulli i ruajtjes së parimeve të shtypit të lirë.
Karta e Zërit
të Amerikës përmbledh tre vlera themelore. Së pari, Zëri i Amerikës shërben si
një “burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive, dhe
gjithëpërfshirëse.” Ne besojmë se
opinionet nuk duhet të jenë pjesë e lajmit. Duke raportuar vetëm faktet, ne i
japim mundësinë audiencës të formojë vetë pikëpamjet e saj. Siç e kemi
deklaruar që në transmetimin tonë të parë në vitin 1942, “lajmet mund të
jenë të mira apo të këqija. Ne do t’jua themi të vërtetën.” Së dyti, Zëri
i Amerikës do t’ju japë gjithmonë pamjen e plotë të Shteteve të Bashkuara. Ne “përfaqësojmë
Amerikën dhe jo thjesht vetëm një segment të saj, duke ju dhënë një pamje të
balancuar dhe gjithëpërfshirëse të mendimit amerikan dhe të institucioneve të
rëndësishme amerikane”. Që nga interpretimi i Kushtetutës amerikane dhe
deri tek çështjet e nxehta me të cilat përballen amerikanët, Zëri i Amerikës
bashkëbisedon me njerëz nga të gjitha drejtimet e jetës për të përftuar një
pamje sa më të plotë të Shteteve të Bashkuara.
Së treti, për
shkak se ne jemi Zëri i Amerikës, ne shpjegojmë politikat e jashtme dhe të
brendshme të SHBA-së, në mënyrë që bota të dijë se çfarë vlerash përfaqëson
kombi ynë. Në dallim nga shumë vende të tjera ku qytetarëve nuk u lejohet të
sfidojnë qeverinë e tyre, Zëri i Amerikës shërben gjithnjë si platformë për
diskutime dhe opinione të përgjegjshme rreth politikave të Shteteve të
Bashkuara. Ne nuk mbështesim një parti të caktuar politike, apo ndonjë
politikan.
Këto janë
parimet themelore të shtypit të lirë. Ky është Zëri i Amerikës.






No comments:
Post a Comment