01 June 2016

Mesatarja 6 per pranim ne Universitet, del VKM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.  

2. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë). Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në  arsimin e  mesëm të lartë;
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
3. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim. 
4. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
5. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat tek njësitë arsimore vendore dhe tek Agjencia Kombëtare e Provimeve.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore, dhe institucionet e arsimit të lartë, për zbatimin e këtij vendimi. 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


No comments:

Post a Comment