28 profesionistë të rinj të muzeve dhe trashëgimisë nga Shqipëria, Bosnje dhe
Hercegovina, Bjellorusia, Egjipti, Gjeorgjia, Irani, Kosova, Maqedonia, Mali i
Zi, Serbia dhe Turqia, po marrin pjesë në një trajnim tri-javor mbi ruajtjen
dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe trashëgimisë
shpirtërore në situata katastrofe.
“Trajnimi Ndërkombëtar Mbi Menaxhimin e Rrezikut për Trashëgiminë
Kulturore në Rast Katastrofe” organizohet nga tri zyrat e organizatës “Trashëgimia
Kulturore pa Kufij” në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Trajnimi ka
filluar në Sarajevë, në Muzeun Kombëtar të Bosnje-Hercegovinës, vijoi në
Prishtinë, dhe java e tretë dhe përmbyllëse po mbahet në Gjirokastër në datat
21 nëntor – 27 nëntor.
Programi gërsheton ligjërata nga lektorë rajonalë dhe ndërkombëtare
me ushtrime praktike që reflektojnë situata katastrofash për të testuar dijet e
pjesëmarrësve. Qëllimi i trajnimit është që profesionistët e trashëgimisë të mësojnë
aftësi praktike për mbrojtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të
trashëgimisë dhe të trashëgimisë shpirtërore para, gjatë dhe pas një
katastrofe.
Në javën e tretë të trajnimit, pjesëmarrësit po studiojnë mënyra
të ndryshme dhe strategji për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Disa nga
temat më të rëndësishme që do të diskutohen janë: vlerësimi i rrezikut për trashëgiminë
kulturore shpirtërore, rëndësia e dokumentimit të kësaj trashëgimie etj.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet temës përmes një paneli,
që mbahet ditën e premte, ku do të bëjnë pjesë specialistë ndërkombëtarë të
trashëgimisë kulturore, të emergjencave civile dhe donatorë.







No comments:
Post a Comment