Një
vit pas marrjes së mandatit në krye të Bashkisë së Gjirokastrës, BIRN Albania
intervistoi kryetaren e Bashkisë Zj.Rami lidhur me përmbushjen e premtimeve
elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.
Cilat
janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë
vitit të parë të drejtimit të bashkisë Gjirokastër?
Në
fakt, vlerësoj se gjatë këtij viti të parë kemi bërë edhe përtej premtimeve.
Gjithsesi, duke qenë se më kërkohen vetëm 3 po i listoj: Së pari, kemi premtuar
një bashki më të pastër dhe ky është një premtim i mbajtur, edhe pse kemi akoma
shumë punë për të bërë. Bashkia Gjirokastër sot ofron jo vetëm një mjedis më të
pastër, por edhe cilësi më të mirë të shërbimit të pastrimit dhe shumë më shumë
gjelbërim. Së dyti, kemi premtuar rikthimin e artit dhe kulturës në nivelet që
Gjirokastra meriton dhe gjatë këtij viti të parë e kemi vërtetuar. Është një
kalendar i plotë aktivitetesh artistike e kulturore, të shumëfishuara në numër,
por edhe me një cilësi shumë të lartë. Më lejoni të përmend dy festivale
filmash, që realizoheshin për herë, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për
Fëmijë dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Dea”. Së treti, kemi premtuar
vëmendje të plotë ndaj zonave rurale që iu bashkangjitën Bashkisë Gjirokastër,
ku problemet janë të shumta, veçanërisht në dy ish- komuna, sot Njësi
Administrative e përkatësisht Cepo e Picar. Sot, pjesa më e madhe e fshatrave kanë
ndriçim publik, fermerët e zonave marrin ujë nga kanalet vaditëse të
rivendosura në funksion gjatë muajve të fundit, kanë pastrim, varreza publike
të mirëmbajtura dhe investime për problemet më madhore.
Çfarë
ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Gjatë
këtij viti të parë besojmë se kemi bërë shumë në këtë drejtim. Ngritja e
komisioneve qytetare për çështje të ndryshme ka qenë një premtim i fushatës, i
cili është mbajtur. Pranë Bashkisë Gjirokastër funksionojnë tashmë një sërë
komisionesh të tilla, si komisioni për ekonominë, komisioni i bujqësisë dhe
veterinarisë. Jemi drejt konsolidimit të komisioneve të tjera. Ndërkohë kemi
patur dhe vazhdojmë të kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë me mediat,
si lokale dhe kombëtare. Mbledhjet e Këshillit Bashkiak zhvillohen gjithmonë të
hapura, ndërsa çdo kërkesë për informacion e mbërritur nga qytetarë, grupe të
ndryshme, OJF, media etj ka marrë përgjigje zyrtare brenda afateve ligjore.
Natyrisht që është një proces i pandalshëm, që vazhdimisht kërkon përsosje.
Cilat
janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i
adresoni ato?
–
Së pari, fuqizimi ekonomik i komunitetit. Edhe pse në këtë pjesë ndikim shumë
të madh kanë politikat qendrore, bashkia do të luajë rolin e vet, kryesisht
nëpërmjet mbështetjes dhe nxitjes për biznesin e vogël.
–
Së dyti, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. Bashkia Gjirokastër ka gjithë
resurset historike, arkitektonike, kulturore e natyrore për ta ngritur turizmin
në nivelin elitar. Por, përveç hartimit të një strategjie të plotë, e cila
është duke u ndërtuar nga një grup pune me specialistë të fushës, për
realizimin e këtij objektivi nevojitet ndërhyrja në infrastrukturën rrugore, në
mënyrë që atraksionet turistike që ndodhen në Njësitë Administrative të jenë
lehtësisht të arritshme nga vizitorët.
–
Së treti, integrimi i zonave rurale nëpërmjet ndërtimit të një infrastrukture
bashkëkohore. Për fat të keq, në disa prej ish- komunave, sot Njësi
Administrative infrastruktura lë shumë për të dëshiruar, pasi kanë munguar
investimet. Jemi në kontakte të vazhdueshme si me qeverinë shqiptare ashtu edhe
me donatorë të huaj për të mundësuar thithjen e fondeve në mënyrë që të
ndërhyjmë në këtë drejtim.
Cilat
kanë qenë disa nga problemet e hasura me reformën e re territoriale në Bashkinë
që Ju drejtoni?
Reforma
Administrativo – Territoriale që hyri në fuqi në vitin 2015, si reforma më e
rëndësishme e kryer gjatë 25 viteve të fundit, natyrisht që sillte një sërë
sfidash në zbatim. Janë 6 ish-komuna, sot Njësi Administrative, që iu bashkuan
qytetit dhe krijuan Bashkinë Gjirokastër. Rritja e ndjeshme e territorit, por
edhe numrit të popullsisë, solli me vete një sërë problematikash emergjente. Ngritja
e strukturave që do të koordinonin ndërmjet tyre dhe komunitetit, për të sjellë
zgjidhjen më të shpejtë ka qenë një nga problemet. Gjithashtu, një sërë
institucionesh të reja u bënë pjesë e Bashkisë Gjirokastër, si Shërbimi Pyjor,
Ujitja dhe Kullimi, Arsimi Parashkollor etj. Përshtatja sa më e natyrshme e
këtyre shërbimeve ka qenë gjithashtu një tjetër sfidë. Por, nuk mund të lë pa
përmendur mbështetjen që kemi pasur në këtë vit të parë të zbatimit të reformës
të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Çështjeve Vendore. Jam e bindur se
Gjirokastra është një nga bashkitë ku kjo reformë është zbatuar me sukses.
Cilat
janë investimet më të rëndësishme këtë vit dhe cilat zona prekin?
Kur
thoshim gjatë vitit 2015 se viti 2016 do ta kthente Gjirokastrën në një kantier
ndërtimi, shumë njerëz ishin skeptikë dhe mosbesues. Por, sot ky është
realiteti. Janë një sërë investimesh, një pjesë e të cilave ka nisur të kryhet
dhe të tjera që do të fillojnë shumë shpejt. Qeveria shqiptare na ka ndihmuar
shumë me investime tepër të rëndësishme e të konsiderueshme, që do t’i sjellin
tjetër pamje Gjirokastrës. Investime të tjera janë parashikuar të kryhen me
fonde nga buxheti i bashkisë.
Ju
premtuat një ndryshim të situatës së Kalasë së Gjirokastrës në aspektin e
menaxhimit të përbashkët me Ministrinë e Kulturës por ende në kala
turistët presin dy bileta dhe premtimi duket se ende nuk është përmbushur?
Është
një premtim pothuajse i mbajtur. Jemi duke përmbyllur detajet e fundit të
marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë
Gjirokastër në lidhje me këtë çështje dhe besoj se shumë shpejt realiteti i
deritanishëm i dy biletave do të jetë inekzistent.
Si
po mbahen premtimet tuaja të bëra gjatë fushatës lidhur me Qendrën Historike që
mbrohet nga UNESCO?
Në
fakt, edhe pse administrimi dhe menaxhimi i Qendrës Historike të Gjirokastrës
dhe objekteve “Monument Kulture” është përgjegjësi dhe kompetencë e plotë e
Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, bashkia
nuk ndihet e përjashtuar dhe është pjesë e të gjitha përpjekjeve për
rijetëzimin dhe promovimin e mëtejshëm të saj. E filluam me projektin e
rijetëzimit të shtëpisë së lindjes së shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare,
përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës dhe ky është një
projekt shumë i suksesshëm. Në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare,
Ministrinë e Kulturës dhe Fondit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim, u bë i
mundur hartimi i projektit të rikonstruksionit të pazarit karakteristik dhe
kthimi i tij në pedonale; punimet fillojnë në muajin shtator dhe sezonin
turistik 2017, turistët do të gjejnë një Gjirokastër të rikthyer në identitet.
Pjesë e këtij projekti të rëndësishëm është edhe ngritja e shoqatës së
bizneseve që ushtrojnë aktivitet në qendrën historike, çka do t’u japë atyre më
shumë frymëmarrje. Nga ana tjetër, për herë të parë Bashkia Gjirokastër bëri të
mundur publikimin e një guide të plotë për të gjithë resurset që zona jonë
mbart. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë kremtuam 11- vjetorin e pranimit të
Gjirokastrës në UNESCO me një festë të madhe që zgjati 3 ditë, e fokusuar në
qendrën historike. Do të vazhdojmë ditë pas dite përpjekjet tona jo vetëm
për të përmbushur premtimet, por për ta kthyer Gjirokastrën në kryeqendrën e
trashëgimisë dhe turizmit.
A
ofrohet aktualisht shërbimi i heqjes së mbeturinave në të gjithë territorin e
bashkisë Gjirokastër? A mund të na jepni një përshkrim të numrit të mjeteve dhe
njerëzve dhe volumit ditor të mbetjeve të hequra?
Pastrimi
i bashkisë dhe largimi i mbetjeve është një tjetër sfidë e Bashkisë
Gjirokastër. Aktualisht kryhet shërbim i përditshëm i heqjes së mbetjeve nga
qyteti Gjirokastër dhe dy qendrat e Njësive Administrative, Asim Zeneli e
Valare deri në vend-depozitimin e tyre, shërbim që kryhet nga Agjencia e
Shërbimeve Publike; së fundmi bashkia Gjirokastër për të përmirësuar këtë
sistem bëri të mundur blerjen e dy automjeteve teknologjike. Gjithashtu pjesë e
këtij shërbimi është edhe trajtimi i mbetjeve urbane te sheshi i depozitimit.
Këtë shërbim bashkia e realizon nëpërmjet dhënies me sipërmarrje private,
mbështetur në prokurimin publik të fondit përkatës. Në vëmendje të këtij
shërbimi ka qenë dhe studimi dhe projektimi nëpërmjet bashkëpunimit me
Ministrinë e Mjedisit të sheshit të depozitimit, që plotëson kushtet dhe
parametrat për këtë qëllim. Jemi në fazën e hartimit të projekt- zbatimit. Në
vit largohen rreth 12 mijë metër kub mbetje, apo e thënë ndryshe rreth 33 metër
kub mbeturina çdo ditë.
Si
e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Këshillit të Bashkisë dhe sa respektohet
zëri i opozitës?
Mund
të them që ka qenë ecuri normale, me ato problematikat që njihen tashmë në
mbledhje të tilla. Ajo çfarë lë për të dëshiruar në shumë raste është niveli i
debatit. Unë si kryetare e bashkisë, por edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak
janë votuar nga komuniteti për të bërë të mundur marrjen e vendimeve më të mira
në shërbim të tyre. Besoj se duhet të fokusohemi në këtë detyrë parësore që ne
kemi dhe jo në debate politike, që nuk kanë vlerë. Anëtarët e opozitës në
këtë këshill gëzojnë të njëjtat të drejta si dhe ata të mazhorancës.






No comments:
Post a Comment