PLASJA është një infeksion, shumë ngjitës, me përhapje
thuajse në të gjithë botën që prek njerëzit dhe kafshët. Plasja shkaktohet nga
Bacillus Anthraxis dhe sipas të dhënave të ndryshme ai përdoret edhe si mjet në
luftën biologjike .Kjo sëmundje ende edhe sot, në vëndet me rritje ekstensive
të dhënve, dhive, gjedhëve si dhe ku masat e luftimit dhe të profilaksis nuk
janë në nivelin e duhur, është përgjegjëse për humbje të rëndësishme në kafshë
dhe një kërcënim serioz i vazhdueshëm për njerezit.
PLASJA shfaqet sidomos në zonat me klimë të ngrohtë dhe me
rritje ekstensive të kafshëve, pa luftim sistemik, pa rregulla në eleminimin e
kufomave të kafshëve të vdekura nga ky infeksion. Në vendin tone, PLASJA,
është mjaft e përhapur. Më shpesh infeksioni në njerëz është vërejtur në
rrethet Delvinë, Gjirokastër, Përmet, Sarandë, por edhe më gjerë, dhe tashmë së
fundmi në Tepelenë. Plasja prek thuajse të gjitha kafshët me gjakë të ngrohtë ,
por tepër ripërtypesit dhe ndër to më të ndjeshëm janë dhentë, mandej vijnë:
gjedhët, devetë , dhitë, bizontët, buajt, antilopat. Kaprollët dhe drerët janë
kryesisht të qëndrueshëm. Nga njëthundrakët, kuajt janë mjaft të ndjeshëm si
dhe elefantët. Ndërsa derrat, kanidët, felidët, kanë një ndjeshmëri mesatare.
Njeriu është një specie mjaft e ndjeshme. Zogjtë janë rezistent, ndërsa rosat
dhe patat infektohen rrallë. Nëpërmjet mishit të infektuar, në kopshtin
zoologjik preken dhe shpendët mishngrënës, Kafshët me gjak të ftohtë janë
rezistentë.
Burimi kryesor i infektimit të njeriut janë ripërtypsit shtëpiakë si dhe
produktet e tyre. Transmetimi nëpërmjet kontaktit direkt nga kafsha tek kafsha
ose nga kafsha e gjallë tek njeriu është i madh, ndërsa nga njeriu tek njeriu
ekstremisht i rrallë.
Në zonat endemike kafshët mund të infektohen në
kullotë ,nëpërmjet gojës ose tek njeriu nëpërmjet lekurës.
Infeksioni professional, ose ndryshe plasja e importuar,
vërehet sidomos tek punëtorët që merren me përpunimin lëkurëve, leshin e
kafshëve , përpunuesit e kockave, në thertore , përpunuesit e ushqimit etj.
Plasja e shkaktuar nga ushqimi, mund të takohet gjatë
gjithë periudhës së vitit dhe është e pamvarur nga toka dhe klima, Sporet e
plasjes gjenden jo vetëm në kockat, kafshën ose miellin e gjakut, porse ato
janë izoluar edhe ne vajin e guzhinës, në drithin e bluar trashë, himet.
Infeksioni tek njeriu klasikisht është i ndarë në dy rrugë e cila reflekton
punën e sejcilit individ kundrejt së cilës ai është i ekspozuar. Kështu kemi
plasjen jo industriale që ndodh tek fermerët, kasapët, veterinerët, etj si dhe
plasjen industriale që ndodh shpesh tek ata që përpunojnë kockat, leshin,
lëkurët dhe produktet e tjera të kafshëve.
Rrugët e infektimit me plasje janë tre. Kështu plasja
kutane ndodh nëpërmjet lezioneve të lëkurës, plasja gastrointestinale ndodh
nëpërmjet ngrënies së ushqimit të kontaminuar para së gjithash mishi nga
kafshët të cilët kanë vdekur apo therur sforcimisht nga plasja apo dhe uji i
kontaminuar. Plasja pulmonare realizohet si pasojë e inhalacionit të sporeve të
plasjes.
Shënjat klinike
Tek dhëntë ,të cilat janë mjaft të ndjeshme, periudha e
inkubacionit të sëmundjes është nga 36-72 ditë dhe shpesh ka karakter
hiperakutsepticemik pa dallime të lehta përpara shenjave, kështu që kafshët ose
gjënden të vdekura ose vdesin brenda 10-36 orëve. Rritje shpretke dhe gjaku nuk
koagulon.
Tek gjedhi sëmundja ka karakter hiperakut ose akut septisemik.
Periudha e inkubacionit është 1-2 ditë, shënjat klinike janë temperaturë të
lartë (41–420C ) me eksitim të fuqishëm, enterit hemoragjik i cili
shoqërohet me rrjedhje gjaku në fece, urinë dhe nga hunda, refuzimi i ushqimit,
pakësim i qumështit dhe edema kryesisht në zonën e grykës dhe gjoksit.
Zhvillimi kronik i semundjes është i rrallë. Tek gjedhët, nuk ka ndryshime në
shpretkë dhe në koagulimin e gjakut.
Tek kuajt periudha e inkubacionit është prej 1-3 ditësh, dhe
kryesisht shfaqet forma septicemike, me temperaturë, vështirësi në frymëmarrje,
rrahjet e zemrës fuqizohen, verehet cianozë, edema, shenja të kolitit si dhe
enterit. Vdekja vjen si pasojë e shokut toksik.
Tek derrat dhe qentë sëmundja zhvillohet në formë subakute deri në kronike
me enjtje në zonën e grykës, vështirësi në frymëmarrje dhe cianozë. Në ndonjë rast
vërehet dhe gastroenterit me gjak në feçe.
Mishngrënesit e
tjerë si p.sh. qentë, macet e egra të kopshteve zoologjike apo vizonët,
infektohen me bacilin e plasjes nga kadavrat. Sëmundja tek ta zhvillohet në
formën akute septicemike me vdekshmëri të lartë.
Tek njeriu është në varësi të rrugës së hyrjes së
shkaktarit: nëpërmjet lëkurës, mushkërive apo zorrëve.
Forma e lekurës është forma më e shpeshtë. Periudha e inkubacionit është nga 9
orë deri në dy javë. Në ditën e 2-3 shfaqet në vëndin e hyrjes një zonë e
skuqur me madhësinë e një 5 lekëshe, në të cilën zhvillohet dhe një papulë e
vogël. Tipike për plasjen është që në qendrën e nyjës (papulës) formohet një
nekroze me ngjyrë blu në të zezë e cila pak nga pak zgjerohet, Përreth saj
zhvillohet një skuqje e cila me kalimin e kohës bëhet më e fortë dhe shoqërohet
me enjtje. Në vëndin e infektimit shfaqen gjithashtu dhe disa vezikula të vogla
të vecanta, ku brenda tyre ato përmbajnë një lëng sero-hemoragjik. Pas 1-3 ditë
karbunkula e plasjes formohet plotësisht, ajo nuk ka dhimbje. Gjëndrat
limfatike regjinale janë të zmadhuara, si dhe krahas ethes, dhimbjes kokës dhe
të kyceve është e zakonshme dhe një pamjaftueshmëri e qarkullimit të gjakut,
dhe edemë extensive të cilat më pas pasohen me shokun dhe vdekjen.
Forma e mushkërive. Periudha e inkubacionit zgjat nga 1–5 ditë, ku shfaqet një stad
prodromal me temperaturë të lehtë, dobësi e përgjithëshme, kollë e
thatë,dhimbje retrosternale si dhe myalgi. Në rastet e formës akute dhe
hyperakute së bashku me temperaturën e lartë, zhvillohet dispne, cianozë,
dizorientim me koma dhe vdekje. Shanset e shërimit janë të pakta, Vdekja vjen
pas 3 ditësh pas fillimit të stadit akut si dhe 24 orë pas fazës hyperakute.
Ka dy forma klinike të plasjes gastrointestinal të
cilat varen nga rrugët e marrjes së bacilit me ushqim ose me ujë. Këto janë,
plasja intestinale dhe ajo oropharyngeale.
Forma intestinale e plasjes është nga format më të rralla të saj tek
njeriu, Periudha e inkubacionit është nga 2–5 ditë. Klinikisht ajo shfaqet me
temperaturë, me dhimbje të fuqishme barku si dhe me diare profuse me gjak.
Njësoj, si tek karbunkulat e lekurës dhe në jejunum ose në mukozën e stomakut
lokalizohen lezione që kanë tendencë për çarje, kështu që vdekja vjen kryesisht
brenda javës së pare, pasi kanë filluar shenjat e sëmundjes.
Forma orofaryngeale shoqerohet me dhimbje fyti, disfagi, ethe, lymfoadenit
regjional në zonën e qafës dhe toksiemi. Megjithë trajtimin, mortaliteti është
rreth 50 %.
Luftimitek kafshët bëhet duke kombinuar, vaksinimin me trajtimin me
antibiotik në shumë vënde, eleminimi i rasteve të shpeshta të infeksionit është
arritur që nga vitet 1950. Në Shqipëri, si dhe në shumë vënde të botës,
njoftimi i sëmundjes së plasjes është i DETYRUESHËM. Masat
e marra, për luftimin, e saj bazohen në ligjin për shërbimin dhe inspektoriatin
veterinar. Në vendin tonë vaksinimi i kafshëve është i detyrueshëm një herë në
vit, kurse në vatrat e infeksionit ajo kryhet deri në 3 herë. Kur plasja,
vërehet në ekonomitë e rritjes së gjedhit, ekonomia vendoset në karantinë dhe
qumështi i kafshëve me temperaturë nuk lejohet të konsumohet, por mbas zierjes
eliminohet, Ndalimi i lëvizjes së kafshëve hiqet mbas 2 javësh nga rasti i
fundit me plasje. Plehu përpunohet nëpërmjet grumbullimit dhe trajtimit
biotermik për 3–6 javë, ku temperaturë duhet të arrijë mbi 700C.
Urina, materialet e lëngshme, përpunohen me gëlqere 5%. Në rastet kur
detyrimisht duhet të bëhet një therje, materjalet, vendi i therjes si dhe
mjetet e kryerjes së saj duhet të dizinfektohen me sodë kaustike 2 %. Vaksinimi
është mjeti më i sigurt i luftimit të infeksionit.

Shënim: Kolegë/e, jeni të mirëpritur për komente,
mendime vrejtje dhe kërkesa ose jo për material më të zgjeruar për këtë
infeksion të rrezikshëm, apo cfarëdo infeksioni tjetër zoonotik ose jo.
Profesor Kristaq Bërxholi
Virolog – Fakulteti i MjekësisëVeterinare
Departamenti i Shëndetit Publik Veterinar
Tiranë –Shqipëri
Virolog – Fakulteti i MjekësisëVeterinare
Departamenti i Shëndetit Publik Veterinar
Tiranë –Shqipëri
Nuk lejohet ripublikimi i këtij
materiali pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.
Ju lutemi në rast referimi nga ky shkrim
të përmendet linku i veterineret.com si dhe autori i shkrimit!
No comments:
Post a Comment