Top Channel/ Marin Mema
Teksa përshkruan historinë e një personazhi që quhej Dino
Çiço dhe aeroplanit të tij të drunjtë, Ismail Kadare, në veprën e tij “Kronikë
në gur” ndoshta kërkon të tregojë edhe etjen e një qyteti për ide të mëdha, të
cilat janë ndezur sërish teksa qeveria ka publikuar projektet për aeroportet e
reja. Gjirokastra e ka një të tillë, që banorët shpresojnë të riaktivizohet.
Në
një cep të Muzeut të qytetit të Gjirokastrës ruhen ende mbetjet e avionit të
Dinos. Askush nuk di të thotë sesi lindi kjo dëshirë e tij, e megjithatë
historia e aeroplanit mbeti, duke venitur në një mënyrë edhe bëmat e tij
kombëtare. Ndoshta gjithçka lindi duke parë aeroplanët e të huajve, që uleshin
e ngriheshin që në Gjirokastrën e viteve ’29, pikërisht në atë vend ku ashtu si
dje, edhe sot bien sytë e shtëpive të qytetit.
“Deri
dje, emri i Dino Çiços është përmendur si një element me pak humor brenda, por
megjithatë zgjon një fantazi të qytetarëve të Gjirokastrës. Në fund të fundit
tregon që ky qytet ka dashur të fluturojë tërë kohën. Ndoshta ngaqë e sheh
qytetin nga sipër, ndoshta ngaqë është pjesë e fantazisë. Ndoshta nganjëherë
kjo fantazi, edhe pa kufi, shpesh herë të bën që të thërrasësh në ndihmë atë që
duhet, e në rastin konkret është aeroporti”, thotë Llambi Margariti.
Ky
aeroport, edhe pse sot pak ka formën e atyre tradicionalë që jemi mësuar të
shohim, kishte një linjë të rregullt Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në vitet
’30-’40 ka pasur funksion ushtarak dhe civil, e në të qëndronin mbi 30
aeroplanë. Menaxhimi i tij kaloi përmes gjermanëve, e më pas italianëve, të
cilët krijuan linja edhe me Vlorën, Korçën e sigurisht Tiranën, por edhe me
Italinë, ku fluturonin “charter”-a të posaçëm. Për gjirokastritët, ky transport
ishte mëse normal, ashtu si aeroplanët që iknin e vinin me intensitet të lartë,
deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.
“Unë
kam xhelozi për të parët e mi, të cilët nga mesi i pazarit apo nga qafa e
pazarit kanë parë avionët e tij të uleshin, ndërsa unë, stërnipi i tyre, pas
një shekulli nuk i shikoj më këta avionë”, thotë Blerim Kora, gazetar.
Sigurisht
ky lloj transporti, gjatë kohës së komunizmit u ndërpre, duke u përdorur vetëm
për qëllime ushtarake. U ringjall disi në vitet ’90 nga nje kompani amerikane,
që kërkoi të riaktivizonte linjat e vjetra, por shkoi drejt shkatërrimit të
plotë në vitin e mbrapshtë 1997, kur që nga kulla e vrojtimit, aparaturat e
gjithçka tjetër dolën jashtë funksioni. E megjithatë, edhe në ato kohë fluturimet
nuk do të ndalonin. Në këtë aeroport zbritën edhe Romano Prodi, Vranicki, Nano
e Fino. Më pas gjithçka u la thuajse në harresë, veç pushtetit lokal që në
mënyrë të vazhdueshme ka ndërmarrë nisma për ruajtjen e tij, siç është rasti i
vendimit të bashkisë në vitin 2003 dhe qarkut në 2008-n, për ta shpallur zonë
të mbrojtur aeroportuale. E kjo sigurisht i ka dhënë asaj frymëmarrje.
“Ka
1.300 metra pistë në gjatësi, 100 metra në gjerësi, ka rreth 100 mijë metra
katrorë sipërfaqe piste, mbi 20 mijë metra katrorë të sipërfaqes së rakordimit,
mbi 20 mijë metra katrorë sipërfaqe për parking dhe ambiente të tjera
shfrytëzimi. Të fillojmë nga avionët sportivë, ‘charter’, pas një ndërhyrjeje
shumë të vogël, sidomos një rulim dhe prerje barërash, pra një sistemim deri në
30 vendesh”, thotë Bexhet Çobani, inxhinier.
Sot
degradimi është i madh, sidomos në pistë, e cila dukshëm ka nevojë për
ndërhyrje për shkak të hyrjes së automjeteve të ndryshme. Kanalet e drenazhimit
janë thuajse jashtë çdo funksioni, e po ashtu rrethimi që ka dëmtime jo të
pakta. Dora e fundit e shtetit duket se ka qenë te vendosja e blloqeve të
betonit, që mbinë mbi pista në të gjithë vendin pas alarmit të transportit të
drogës përmes ajrit.
Godina
kryesore ka një pamje më të mirë, pas restaurimit të bërë nga italianët vite më
parë. Megjithatë, gjirokastritët e mbajnë mend që 80 vite më parë. Është e
njëjta godinë, që qëndron si dëshmitare e kohës kur aeroporti nuk ishte i
boshatisur. Sot është një ëndërr për të gjithë qytetin.
“Unë
mendoj se do të shërbejë edhe për lidhje ndërmjet aeroporteve lokale
funksionalë, megjithatë le t’i kalojmë edhe kufijtë e Shqipërisë, të themi
rajonale më tepër. Për shembull mund të kemi fluturime
Janinë-Gjirokastër-Tiranë, pse jo edhe Gjirokastër-Kukës-Prishtinë, pra do të
jenë me lidhje të sensit rajonal. Njëkohësisht do të doja të theksoja se, do
t’i bashkëngjitet të gjitha formave të tjera të transportit që kemi të
zhvilluara këtu në Jug të Shqipërisë, siç është transporti rrugor apo ai detar
në Sarandë, e do të shërbente si një portë hyrëse shtesë”, thotë Genti Ruspi,
pedagog.
Projekti
i qeverisë për të ndërtuar apo riaktivizuar aeroporte të tjera, veç atij “Nënë
Tereza” në Tiranë, ka bashkuar intelektualët gjirokastritë, të cilët e shohin
këtë si një mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi. E kjo mbështetur jo thjesht
në faktorin historik, por edhe në nivelin e përmbajtur të kostove. Sipas një
studimi të kryer nga ekspertë italianë, kostoja për t’i dhënë Aeroportit të
Gjirokastrës standardet e kërkuara me norma ndërkombëtare, nuk i kalon 5
milionë eurot. E kjo për atë që ofron Gjirokastra, sipas tyre do t’ia vlente.
“Të
vizitosh Gjirokastrën nuk do të thotë ta vizitosh atë për disa orë. Të vizitosh
Gjirokastrën do të thotë të kalosh një periudhë ndoshta disaditore, për të
arritur të kuptosh se çfarë Gjirokastra ofron nga e shkuara e saj dhe nga ditët
aktuale”, thotë Luis Seiti, guidë turistike.
Sot
Gjirokastra është një nga qytetet më të frekuentuara nga turistët, një qytet me
vlera të mëdha historike dhe kulturore, që sigurisht ka mundësi të ofrojë
gjithmonë e më shumë. Përtej thjesht qytetit, e gjithë krahina ka mundësi të
jashtëzakonshme, që ende nuk janë shfrytëzuar siç duhet. Nga historia e shkuar
tek e sotmja ka mjaftueshëm gjurmë. Mbetjet e avionit të Dinos janë një pjesë,
ashtu siç janë edhe ato që flenë me avionin e famshëm amerikan, që qëndron në
kala si trofe i komunizmit. Këto janë tregues të dy periudhave, tashmë
Gjirokastra pret të tretën: atë aktualen, me shpresën që të mos mbetet më vetëm
në muze.
Riaktivizimi
i aeroportit me histori mbi 80-vjeçare është kthyer sot në një ëndërr për të
gjithë qytetin e Gjirokastrës, një ëndërr që gjirokastritët shpresojnë të mos
përfundojë si aeroplani i drunjtë i Dino Çiços, që nuk mundi kurrë të
fluturonte.






No comments:
Post a Comment