Arsllan
Pashallinjtë nga rrjedh Mufidi kishin qenë për breza me rradhë Vezirët e
Janinës dhe po ashtu dhe sundimtarët e Sanxhakut të Gjirokastrës dhe të
Delvinës… e shumë e shumë herë dhe të krahinave të tjera. Mbase ishte kjo
trashëgimi, që i bindi Libohovat e brezave të fundit të Perandorisë Osmane, që
nuk ishin si të tjerët. Në shtëpinë e Libohovës fliteshin shumë gjuhë dhe kjo
falë edukimit që kishin të gjithë anëtarët e saj. Kishin kuptuar të gjithë
diçka të vetme, që do të ishte vetëm kultura që mund të ndryshonte statusin e
tyre kombëtar dhe të mjedisit ku jetonin. Nga ana tjetër, dituria u jepte një
status tjetër krahasuar edhe me njerëzit e tjerë të Perandorisë, ku familja e
tyre ishte pa asnjë dyshim një nga më fisniket.
Malik Pasha,
i gjyshi i Mufidit, nuk i pranoi detyrat zyrtare të Perandorisë osmane në
mënyrë publike. Sipas të afërmëve, pasuria e tij ishte e tillë, saqë Maliku
konsiderohej pa frikë, si një nga njerëzit më të pasur të kohës, që jetonin në
Egjipt, Turqi por edhe në Greqi. E gjitha kjo pasuri, që ishte mbledhur në
shekuj të tërë, konfirmonte realisht, atë që familja Libohova e pretendonte: se
datonte si një nga familjet më të vjetra të aristokracisë shqiptare. Pinjollët
e fundit të Libohovave, e vizatojnë pemën e tyre gjenealogjike deri në 700 vjet
më parë. Ndoshta kjo ishte arsyeja, që Shanishaja, motra e Ali Pashait, erdhi
nuse në derën e tyre. Duke iu afruar më shumë familjes, Myfid Bej Libohova
është i biri i Neki Pashës dhe lindi më 1876. Ndërsa, ky i fundit është i
njohur si guvernator i Gjirokastrës. Dhe për shkak të statusit të tij, ishte
edhe një nga pak deputetët e Shqipërisë ne Parlamentin e parë të Perandorisë
Osmane. Aq i madh ishte pozicioni i tij, saqë më 1879, ai arriti që të bëhej
Këshilltar në Këshillin Perandorak të Shtetit. Me këtë prejardhje është fare e
arsyeshme, që edhe i biri, Myfidi, do ta kishte rrugën e hapur për karrierën e
tij. Ishte martuar herët dhe më 1898 bashkëshortja e tij e parë ishte Sheref
Hanëm Giritli Zade. Kjo ishte vajza e Ibrahim Pashait dhe Mustafa Pashait. Ky i
fundit kishte qenë 5 herë Sadrazem dhe kryeministër i perandorisë. Me Sheref
Hanëmin arriti që të bënte djalin e parë Malik beun, që do të përfaqësonte vite
më vonë Shqipërinë në Francë. Ndërsa, djali i dytë i tij, ishte Elmaz Beu, që
lindi nga gruaja e dytë, danezja Olga Scheitzer.
Kuptohet se
nuk qëndron shumë, sepse pavarësisht postit, fillojnë e marrin erë shumë
problemet shqiptare. Pavarësia është më afër se kurrë dhe për të nuk
pëshpëritet por flitet me forcë. Bashkë me dy vëllezërit, Ekremin dhe Ajetin,
braktis Perandorinë për të filluar një jetë tjetër. Kjo jetë duhej të vihej në
shërbim të një shteti, që ekzistonte vetëm në kokat e diplomatëve dhe në
dëshirën e shqiptarëve.






No comments:
Post a Comment