Italianet rikthejne fluturimet ne Jug
Dosja eshte dorezuar ne Keshillin e Qarkut Gjirokaster, e sipas
specialisteve, ky aeroport i ka te gjitha kapacitetet teknike, fluturimin
kryesisht te avioneve te vegjel turistik. Bazuar ne raportin ne fjale, nje sere
elementesh te komunikimit, zhvillimit ekonomik, kulturor, turistik etj., jane
faktore te rendesishem ne rikthimin e fluturimeve ne aeroportin e Gjirokastres.
"Nevoja e riaktivizimit te pistes konsiderohet esenciale ne procesin e
zhvillimit te te gjithe rajonit te Jugut", pohohet ne studim. Sipas
eksperteve italiane, rivenia ne pune e aeroportit te Gjirokastres ndikon ne
uljen e kohes dhe kostos se komunikimit te zones se Jugut me pjese te tjera te
vendit. Aeroporti konsiderohet i pershtatshem per aktivitetet e aeronautikes,
carterat dhe aeroklubet, te cilet sot ne vende te ndryshme te botes jane
elementet kryesore te nxitjes se zhvillimit te turizmit, pasi krijojne
lehtesira ne levizjen e njerezve.
Ne vijim te studimit, specialistet italiane japin edhe disa elemente
teknike ne lidhje me punen qe duhet bere per rikonstruksionin e pistes se
fluturimit, godinave ekzistuese ne mjediset e aeroportit, si dhe aksesoreve te
tjere te nevojshem per rivenien ne pune te aeroportit te Jugut. Parashikohet qe
avionet, qe do perdorin pisten, do te kene nje autonomi perreth 500 km dhe nje
kapacitet prej rreth 30-40 pasagjeresh, pra do te jene te tipit ATR 42 (40
vendesh), SAAB 340 (34 vendesh), Embraer EMB 110 (21 vendesh) dhe Dornier 328
(32 vendesh). Nderkohe, gjate viteve te fundit, riaktivizimi i aeroportit te
Gjirokastres ka qene ne qender te disa iniciativave te ndermarra edhe nga
faktore te tjere si pushteti vendor ne Gjirokaster, Ministria shqiptare e
Mbrojtjes apo DIE ( Delegacioni Italian i Eksperteve). Keto kane konsistuar ne
frenimin e shkaterrimit dhe rikonstruksionin e disa prej aksesoreve te
aeroportit. Nderkohe, ne muajin shtator te ketij viti, nje iniciative e
perbashket mes disa prej institucioneve dhe organizmave shqiptare, konsullates
se pergjithshme italiane ne Vlore dhe pushtetit vendor ne Gjirokaster, synon
rikthimin e fluturimeve ne pisten e aeroportit te avioneve me kapacitet te
vogel. Kjo iniciative parashikon nje aktivitet promovues, duke organizuar me
kete rast ardhjen ne Gjirokaster te disa avioneve te aeroklubeve italiane me
turiste, si dhe fluturime te lira nga ajri nga anetaret e aeronautikes
shqiptare dhe te huaj.
Na ishte nje here aeroporti
Ishte shtator i vitit 1924, kur autoritetet shqiptare pranuan
kontraten me shoqerine "Adria – Aero-Llojd" dhe nxiten daljen e nje
projektligji, i cili do te celte siparin e historikut te aviacionit civil ne
vendin tone. Projektligji bente fjale per vendosjen e linjave te rregullta te
trafikut te aviacionit civil ne linjat Tirane-Shkoder-Durres-Berat-Vlore-Gjirokaster.
Me vone, hartes se udhetimeve civile nepermjet ajrit iu shtuan edhe Korca,
Kukesi dhe Peshkopia. Ne nje studim te Shoqates Italiane per Zhvillim VSP
(Volontari Senior Profesionali), te hartuar vitet e fundit dhe qe ka ne qender
aeroportin e Gjirokastres, permendet fakti se "linja ajrore
Tirane-Gjirokaster-Tirane u perurua me 11 gusht 1929". Keto fluturime bene
te mundur lidhjen e qendres se Jugut te Shqiperise me kryeqytetin ne nje kohe
te shkurter. Megjithate, fluturimet e avioneve te vegjel, qe perdoreshin ne
kete linje, realizoheshin vetem ne kushte atmosferike normale. Veshtiresive te
motit per kryerjen e fluturimeve i shtoheshin edhe gjetja e ekuipazhit qe do te
kryente sherbimin. Fillimisht ne kete linje fluturimesh ka operuar nje ekuipazh
i reduktuar gjerman dhe me pas nje ekuipazh i perbere nga pilote italiane.
Krahas pasagjereve ne linjen Gjirokaster-Tirane dhe anasjelltas, avionet
realizonin edhe transportimin e postes. Per kete linje fluturimesh perdoreshin
dy-tre aeroplane te lehte te tipit "Albatros E" dhe "Albatros
G", te cilet kishin nga tre vende secili. Ne vitin 1932 marreveshja me
gjermanet u abrogua dhe qeveria Mbreterore Shqiptare ia dha koncensionin per
sherbimin ajror civil shoqerise italiane "Ala-Littoria". Kesaj
periudhe i perket edhe ndertimi dhe sistemimi i aeroportit te Gjirokastres, ne
perputhje me kushtet teknike te fluturimeve te asaj kohe. Ne vitet ‘30-’40, te
shekullit te kaluar, ky aeroport do te kishte nje funksion te dyfishte, ate
civil dhe ushtarak. Ne kete kohe, ne pisten e aeroportit te Gjirokastres u
vendosen rreth 30 aeroplane transporti, bombardues, civile etj. Krahas pistes
se modernizuar, edhe sherbimi ne fluturimet civile erdhi ne rritje. Gjate kesaj
kohe per fluturimet civile perdoren aeroplane te tipit "Breda 44".
Linjat kryesore te fluturimeve te kesaj periudhe, qe kishin si stacion
aeroportin e Gjirokastres, do te ishin: Tirane-Vlore-Gjirokaster-Tirane dhe
Tirane-Korce-Gjirokaster-Tirane. Ky lloj transporti do t’i vinte ndjeshem ne
ndihme levizjes se pasagjereve nga Jugu i vendit ne drejtim te zonave te tjera.
Grupet e pasagjereve, qe udhetonin me avion ne linjat e aeroportit te
Gjirokastres, ishin nga me te ndryshmet, tregtare, administratore, punonjes te
administrates shteterore etj. Per t’u permendur eshte fakti se, krahas
fluturimeve ne linja te rregullta, shpesh nga aeroporti i Gjirokastres niseshin
edhe cartera me destinacion te percaktuar nga klientet e interesuar kryesisht
ne drejtim te Napolit dhe Brindizit.
Pas luftes, vetem kronike ne letra
Transporti civil, nepermjet aeroportit te Gjirokastres, zgjati
deri ne perfundim te Luftes se Dyte Boterore. Pas vitit 1944, sherbimi civil ne
aeroportin e Jugut do te nderpritej e megjithate serish aeroporti i
Gjirokastres do te vazhdonte jeten e vet. Pista e tij do te perdorej per
fluturime per qellime ushtarake, per nevoja qeveritare dhe humanitare. Ne
aeroport do te uleshin helikopteret, qe transportonin jo vetem politikanet, por
edhe ushtaraket, te semuret per nje ndihme me te specializuar ne drejtim te
kryeqytetit etj. Madje, ky aerodrom do te perdorej si piste fluturimesh edhe
nga avionet e sperkatjes ne bujqesi, te cilet hidhnin nga ajri pesticidet ne
siperfaqet bujqesore pergjate lugines se Drinos. Por, nje tregim i titulluar
"Aeroporti i Jugut", i shkrimtarit Ismail Kadare do te bente
aerodromin e Gjirokastres nder me te vecantet, krahasuar me pistat e tjera te
fluturimeve, pasi keshtu ai do te perjetesohej ne nje veper letrare. Pergjate
tregimit, Kadareja jep ndjesite e tij dhe te banoreve te Gjirokastres ne lidhje
me zhvillimet qe peson pista e fluturimit gjate viteve ‘40-te te shekullit te
kaluar. Madje, nen titullin e ketij tregimi, Kadareja do te realizonte ne nje
vellim me vete nje permbledhje te prozes se shkurter te krijimtarise se tij
letrare. Por kulmin marredheniet me boten e letrave aeroporti i Gjirokastres i
ka serish ne nje veper te Kadarese. Ne romanin "Kronike ne gur", ku
historia, ngjarjet dhe zhvillimet e aeroportit te Gjirokastres zene faqe te
tera, duke qene keshtu nje deshmitar i vete historise se qytetit te gurte.
Fluturimet “VIP” te politikaneve
Vitet ’90 e gjejne aeroportin e Gjirokastres ne gjendje pune,
kjo fale kujdesit dhe mirefunksionimit te tij ne vitet e meparshme, ku
rregullat e forta ushtarake e mbajten ne kushte optimale. Avionet e shoqerise
amerikane MAF, do te rikthenin ne kete aeroport fluturimet civile ne linjat
ajrore Tirane-Gjirokaster-Korce-Tirane, duke e bere ate nje nyje te rendesishme
te transportit ajror ne Shqiperi. Gjate ketyre viteve, ditari i aeroportit te
Jugut do te perfshinte nje sere fluturimesh VIP, ku krahas politikaneve
shqiptare, spikasin edhe mberritja ne Gjirokaster e Kryeministrit italian te
atyre viteve, Romano Prodi, ish-kancelarit austriak, Vraniski, si edhe i
shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mberriti me helikopter per nje vizite ne
qytetin e tij te lindjes. Por ne ngjarjet e vitit 1997, aeroporti i
Gjirokastres pesoi nje shkaterrim total. Dolen nga funksioni te gjitha
aparaturat dhe ambientet si pista, kulla e navigimit, stacioni meteorologjik
dhe gjithe infrastruktura, qe e mbante ate ne pune.
Aeroporti i Gjirokastres ne shifra
1250 m gjatesia e pistes
80 m gjeresia e pistes
190 m lartesia mbi nivelin e detit
124000 m2 siperfaqja totale
96000 m2 siperfaqja e pistes
0,5 km largesia nga rruga Gjirokaster-Kakavije
Blerim Kore :
Gazeta Koha Jone







No comments:
Post a Comment