A e ndryshon
dot botën (shqiptare) shoqëria civile? Rasti i LëvizAlbania
Nga Alfred
Lela
Shoqëria
civile, e grumbulluar kryesisht rreth atyre që quhen organizata
joqeveritare, është parë shpesh, nga të huajt, por edhe së brendshmi, si një
mjet trysnie, por edhe si njëfarë leve Arkimedi, pika kyçe ku mund të
mbështetej Shqipëria për të lëvizur. Përkundër politikës dhe pushteteve të tjera,
ky ‘pushtet’ do t’i bënte shoqërisë një edukim në terma të fjalorit, koncepteve
dhe praktikave demokratike.
Atë që
Perëndimi e nisi si ndihmë ushqimore nga fillimi i viteve ’90, trupëzuar në
operacionet që i siguronin popullatës produktet bazike për mbijetesë si mielli,
vaji e të tjera, në vitet 2000 e këtej është shndërruar në një formë më të
lartë, që mund të quhet ‘ndihmë shpirtërore’. Jo në kuptimin religjioz të
fjalës, jo si operacion që kërkon shelbimin, por si përpjekje për të ngritur
një konstrukt të brendshëm të demokratikes.
Aplikime të
tilla, disa herë, i kanë kaluar kufijtë e ekspertizave, trajnimeve, seminareve,
kolokiumeve dhe konsultave duke u bërë përpjekje për të sendërtuar siluetën e
një ndryshimi. Në mos, vetë ndryshimin. Shembujt janë disa, por nuk janë ata
qëllimi i këtij shkrimi.
Qëllimi
lidhet me një anti-inerci që organizata të shoqërisë civile, me ndihmën
financiare dhe dijesore (know how) të partnerëve të huaj, mundohen të
sigurojnë. Siç është për shembull rasti i ‘LëvizAlbania’, një nismë që
mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe
zbatohet nga tre organizata Shqiptare “Fondacioni Shoqëria e Hapur për
Shqipërinë”, “Partners Albania” dhe “Co-Plan”. Zviceranët, jemi mësuar t’i
shohim si neutralë, ndërkohë që thelbi i projektit të tyre kërkon pikërisht të
kundërtën, dalje nga zona e pasigurt e neutralitetit. Siç e sugjeron edhe
titulli i thirrjes, i cili evokon lëvizjen. Motoja e saj shprehet kështu:
“LëvizAlbania – Demokracia Vendore në veprim synon që të angazhojë sa më shume
organizatat jo fitimprurëse dhe individë në përmirësimin e demokracisë vendore,
mirëqeverisjes dhe ndryshimin e qasjes midis marrëdhënies pushtet
lokal-qytetar.”
Përfshirja e
individëve është ndoshta e reja e madhe dhe e mirë e kësaj nisme. Sipas
drejtuesve qëllimi ishte dhënia e mesazhit të duhur në shoqëri lidhur me atë
se angazhimi individual ose i grupimit të individëve mund të japë
rezultate të prekshme, krahasuar edhe me OJF-të.
Një risi e
dytë e LëvizAlbania është krijimi i një fondi për thirrje emergjente, do të
thotë ngjarje apo shqetësime sociale që lindin e zhvillohen jashtë
kuadratit kohor kur nisma hap zyrtarisht aplikimet. Si për shembull projekti
‘’MosMaPrekValbonën” një lëvizje e individëve dhe organizatave ambientaliste që
janë vënë në mbrojtje të Parkut Kombëtar të Valbonës në territorin e të cilit
janë dhënë disa leje për ndërtim HEC-esh.
LëvizAlbania
ka kaluar në shqyrtim, javën e dytë të korrikut, aplikimet e dyta, ndërkohë që
të parat janë në fazën e zbatimit. Fokusi i Lëviz Albania shprehet nga slogani
ose motoja e saj “local democracy in motion” (demokracia vendore në lëvizje).
Kjo mbështetje për demokracinë lokale e gjen shprehjen te përpjekja për të
kultivuar një shoqëri civile të komunitetit, e cila ndikon dhe nxit parametrat
e një qeverisjeje të mirë vendore.
Qeverisja e mirë dhe
qëllimi i mirë që të shtyn drejt saj, janë sigurisht, një gjë, siç është një
gjë edhe fillimi i mbarë. Deri te ndryshimi i botës është një rrugë e gjatë.
Por, fillon gjithmonë, me një lëvizje.
No comments:
Post a Comment