Faik
Konica flet në Romë për vizionin e tij mbi qeverinë e ardhshme të Shqipërisë --
Qershor 1919: “Në
Shqipëri do të ketë popullaritet vetëm ajo qeveri që do t’i japë vendit atë që
i mungon: një administratë të matur, aktive dhe të shkathët, që sillet me
respekt dhe jo me dhunë ndaj qytetarëve, sepse pas drejtësisë, populli shqiptar
nuk vlerëson asgjë tjetër përveç mënyrave të buta të sjelljes. Gabimi
më i madh që bëjnë disa qeveritarë është kur mendojnë se brutaliteti tregon
energji, ofendimi tregon forcë. Përkundrazi, këto janë shenja të dobësisë. Një
rëndësi e veçantë u duhet kushtuar gjykatave. Atje ku do të emërohen gjyqtarë
vërtet të ndershëm, të paanshëm dhe të zotë, qeveria do të fitojë menjëherë
zemrat e popullit. Për gjyqtarë të tillë, asnjë rrogë nuk do të ishte tepër e
madhe, asnjë shpenzim nuk do të ishte i kotë."
***
"Po
të më pyeste njeri ç'ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe
popujve të qytetëruar, edhe po të me lutej të përgjigjem shkurt
e mirë, në katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, - do t'i
thosha: popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel
Dekalogun (urdhëra të cilat gjenden edhe në Bibël edhe në Kur'an
) ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut: popuj të egër janë
ata që s'njohin asnjë rregull të këtillë... Do të ma presë
njeri fjalën dhe do të më thotë: pse në Francë, në Angli, në
Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, a nuk ka
për ditë vrasje, vjedhje e njëqind të liga të tjera? -
Përgjigjem: padyshim ka dhe do të ketë kurdoherë, këtë s'e
mohon njeri. Po vëni re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe:
në vende të shtruara e të qytetëruara krimineli shikohet me sy të
keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; secili i ndihmon
policisë që ta zërë; edhe në qoftë se shpëton keqbërësi nga
të mospaturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për ta
ftohur e për ta larguar botën. Po është një vend në faqe të
dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t'i bëjnë
udhë kur ik, e fshehin nga i vet-thëni gjyq, nëse i teket ndonjë
të vetë-thëni polic sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i
'mendur për të marrë anën e kanunit/ligjit, e shajnë dhe e
fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar
një famë shumë të shëmtuar në botë: kur i dëgjohet emri në
një sallon a mbi udhë, njerëzve u ngjethet mishi dhe u vjen
neveri; në qendrat e diturisë e shikojnë si një shpellë kafshësh
të egra ku s'është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie; në
qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të
lihet i lirë një popull i cili s'ka ditur qe më tepër se dy mijë
vjet vetëm se të derdhë gjak dhe s'njeh tjetër zanat veç
vrasjes. Të tilla fjalë janë thënë mijëra vjet me gojë dhe me
pendë... Për cilin vend dhe për cilin popull flas do ta kuptoni
menjëherë kur t'ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në
Evropë... Kur m'u poq mendja më tepër, që pesëmbëdhjetë vjet e
tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar
ishte një problem moral. Me fjalë të tjera, kuptova se ky popull
që të shpëtojë ka nevojë, më parë se çdo gjë tjetër, t'i
stërvitet e t'i lartësohet karakteri e t'i spastrohet zemra..."






No comments:
Post a Comment