05 November 2016

"Ornamentika në banesën gjirokastrite", nje studim me mjaft vlera nga Dashamir Çuberi

Dashamir Çuberi

Nga Dashamir ÇuberiUdhëheqës Shkencor: Akademik Emin Riza dhe Prof. Afërdita Onuzi

Kjo temë në fushën e ornamentikës së banesave gjirokastrite të shek. XVIII-XIX për herë të parë trajtohet gjerësisht në nivel doktorate. Materiali i marrë në shqyrtim në pjesën më të madhe të tij, është kontribut origjinal i punës së kryer në terren nga autori. Ornamentika e banesave popullore dhe veçanërisht e asaj gjirokastrite me gjithë rëndësinë dhe vlerat e shumta kulturore dhe artistike që mbart, deri më sot ka qenë pjesë e studimeve të realizuara në vitet ’70 – ‘80, publikimeve të Prof. Emin Rizës dhe studiueses Fatbardha Shkupi. Kontributi i tyre nuk është pasuar nga studiues të tjerë në vitet në vazhdim, duke mos e thelluar studimin e ornamentikës së banesave qytetare. Në këtë kontekst, përzgjedhja e temës duket e justifikuar dhe plotëson më së miri nevojën për thellimin e këtij studimi. Studimi i ornamentikës së banesave gjirokastrite, analiza e gjerë dhe e thelluar e vlerave të saj, nxjerrja në pah veçoritë lokale të tyre, përcakton edhe rëndësinë e kësaj teze. Marrja në shqyrtim e shembujve të ngjashëm në hapësirën shqiptare dhe ballkanase dhe vendosja e ornamentikës së banesave gjirokastrite në raport me modelet e përhapura në vendet fqinje, përbëjnë një kontribut që duhet vlerësuar. Disertacioni është përgatitur në dy pjesë, në të parin trajtohen problematika të ndryshme, të ornamentikës së banesave, duke i parë ato nga anë të përgjithshme dhe të veçanta, të shoqëruara njëkohësisht me ilustrime fotografike. Në pjesën e dytë merren në analizë shembuj të banesave më përfaqësuese, që pasohen nga fjalori termave dhe emrave, përfundimet dhe rekomandimet, lista e skicimeve dhe fotove të bëra nga autori në terren dhe në fund bibliografia.
Në pjesën e parë pas përmbajtjes dhe hyrjes vijojnë katër krerë.  Në “Hyrje” është bërë një paraqitje e përmbledhur e qëllimit, objektivit, metodës së studimit dhe përmbajtjes së punës kërkimore.
Kreu i parë është i ndarë në dy sythe ku i pari niset nga një panoramë e kushteve natyrore duke vënë theksin mbi karakteristikat 
e tyre dhe ndikimin mbi zhvillimin e bimësisë, drufrutorëve dhe botës shtazore të rajonit, të cilat shërbyen si motive për 
zbukurimet. Në vazhdim për të plotësuar kuadrin historik të qytetit të Gjirokastrës i është kushtuar vëmendje zhvillimit të banesës 
popullore nga shek. XIV deri në fund të shek.XIX me përmbledhje të burimeve historike dhe shënimeve të udhëtarëve. 
Kapitulli i parë mbyllet me paraqitjen e atmosferës ekonomike e shoqërore të kohës dhe 
ndikimeve që vinin në rrugë të ndryshme nga orienti.
Kreu II  “Ornamentika, zhvillimet kompozicionale të saj” i ndarë në tre sythe, ku i pari trajton nga ana teorike aspektet e zhvillimit të procesit krijues, kriteret nëpër të cilat duhet të kalojë ky proces, për tu ndalur më pas në dukuri të veçorive të stilit dhe stilizimeve të motiveve dhe në vazhdim theksojmë përqasjen sipas metodologjisë krahasuese, që synon nxjerrjen në pah të vlerave dekorative të banesës gjirokastrite, me qëllim diferencimin e ornamentikës së saj nga ajo e objekteve të kultit.
Kreu III  “Motivet trashëgimore dhe teknikat artistike”, niset me një përmbledhje të motiveve trashëgimore të banesës, duke e zgjeruar analizën në motivet me kuptim simbolik. Në vazhdim bëhet një analizë e teknikave artistike duke përfshirë anët teknike dhe profesionale të tyre. Paraqitja e detajuar e gjithë shembujve të dokumentuar nga puna në terren, është një vlerë e shtuar e këtij punimi. Përshkrimi i teknikave artistike është bërë duke i ndarë në grupe sipas rolit të tyre funksional dhe përdorimit të materialeve: gdhendja në gur, dru, piktura murale, piktura mbi dru, teknika e gjurmëlënies. Kjo e fundit paraqitet si një nga shembujt interesant të rrallë, të papërsëritshëm në llojin e vet.
Në mënyrë të veçantë në këtë kapitull trajtohen format e kompozuara arkitaktonike dhe efekti dekorativ i tyre, ku koncepti mbi dekorativitetin paraqitet me këndvështrim më të gjerë.
Kreu IV  “Ornamentika e banesave” fillimisht paraqet ornamentikën e zbatuar në disa tipologji banesash të Gjirokastrës krahasuar me dekoracioet e banesave në qytetet shqiptare dhe vendeve fqinje, (Gjirokastrës, Beratit, Krujës, Shkodrës, Prizrenit, Pejës, Janinës) duke nxjerrë në pah tiparet dalluese midis tyre, në aspektin teknik dhe artistik të realizimit dhe ndërtimit kompozicional. Në sythe të veçanta rëndësi i jepet shkallëzimit të dekoracioneve sipas rëndësisë dhe funksionit të ambienteve të banimit, të odës së miqve, divanit dhe çardakut.
Pjesa e dytë  e punimit ndahet në katër krerë, ku puna kërkimore përqëndrohet në përshkrimin faktik dhe analizën e hollësishme të ornamentikës së banesave të veçanta dhe të grupuara të Gjirokastrës, për të ndjekur më mirë kronologjinë e ecurisë së ornamentikës gjatë shek. të XIX. Dekoracionet e banesave të njohura të Zekatëve, Skëndulit dhe Kikinos janë trajtuar në krerë të veçantë, si banesa të tipologjive të ndryshme përfaqësuese të gjysmës së parë të shek.XIX, ku analizohen veçoritë dalluese të dekoracioneve dhe zhvillimet e tyre në kohë. Rëndësi i kushtohet raporteve të reja që krijohen midis dekoracioneve të brendësinë dhe fasadave të jashtme, epërsisë që teknikat artistike krijojnë ndaj njera-tjetrës.
Pas krerëve të mësipërm, vijon përmbledhja dhe përfundimet e përgjithshme dhe rekomandimet (shqip dhe anglisht), të ndjekur më pas nga fjalori termave dhe emrave. Së fundi, punimi kërkimor me 302 faqe mbyllet me katalogun e ilustrimeve dhe listën e literaturës së konsultuar.

No comments:

Post a Comment