26 September 2016

Trashegimi Kulturore pa Kufij : Personazhe te Gjirokastres



Raimonda Kallapudhi, pronare e Banesës Jaho


Ngrihem në mëngjes dhe gjëja e parë që bëj është të pastroj shtëpinë qosh e më qosh. Gëzohen shumë kur më vijnë turistë. I pres e i përcjell se dua t’ua tregoj këtë bukuri. Çdo shtëpi e Gjirokastrës është një thesar. Secila ka karakteristikat e veta, ndërtuar sipas veçorive të banorëve të saj. Kjo ka qenë derë juristësh, arsimuar në Turqi. Daveri ka qenë gjyqtar në Turqi, Muhameti në Bosnje, Veizi avokat në Gjirokastër, e deri te konstitucionalisti Niazi Jaho. Në çdo ndërhyrje që është bërë në shtëpi jam mundur ta ruaj të vjetrën, jo ta “shqep”. Kam përveshur mëngët e kam punuar edhe vetë me mjeshtrat që e restauruan. Gjithmonë më thonë: shite sëndukun e vjetër lëkurë-kali të stërgjyshës, shite edhe mangallin origjinal te Muzeu i qytetit. Unë u them që shtëpia ime është vetë muze. Dua që një ose dy dhoma t’i kthej në “guest house” për turistë. Të ardhurat që do të fitoj do t’i investoj të gjitha për t’i kthyer lavdinë e dikurshme shtëpisë. Kohën kur ishte shtëpia me oborrin më të bukur, me trëndafila turqie; kur te muslluku vinin tërë gratë e lagjes për të mbushur ujë. Shtëpia ime është e paçmueshme. Siç na e lanë të parët, ashtu do t’ua lemë edhe ne pasardhësve.

No comments:

Post a Comment