Me shërbesën e shkëlqyer sipas Rendit të Tipikosë së Kishës
Orthodhokse, u krye sot, e diel, 7 gusht 2016, Shenjtërimi i Kishës së re
Katedrale ‘Ngjallja e Krishtit’, në Gjirokastër. Shërbesa e Shenjtërimit,
sikundër edhe Liturgjia Hyjnore që vijoi, u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës,
Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, i ndihmuar nga Mitropoliti
përgjegjës i Mitropolisë së Gjirokastrës, Imzot Dhimitri dhe Mitropoliti i
Amantias, Imzot Nathanaili.
Që herët në mëngjez, qindra besimtarë Orthodhoksë nga qyteti dhe
rrethinat, së bashku me klerikët e enorive të tyre, bashkuan lutjen në këtë
moment unikal për Kishën lokale dhe qytetin e Gjirokastrës. Në veçanti të
rinjtë dhe fëmijët i dhanë tonin kësaj dite festive, që do të ngelet gjatë në
kujtesën e grigjës Orthodhokse.
Për t’iu gëzuar Shenjtërimit të Katedrales të pranishëm ishin
edhe Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës zj. Zamira Rami, kryetarët e Bashkive
të Libohovës, Dropullit, Himarës, Finiqit, deputetë, përfaqësues diplomatikë,
personalitete nga bota akademike etj.
Kryepiskopi Anastas duke përshëndetur besimtarët pjesëmarrës iu
referua në veçanti kujtimit të vizitës së tij të parë në qytetin e
Gjirokastrës, në kuadrin e turit të tij si Ekzark Patriarkal, vizitë që bëhej
pikërisht në ditë të tilla, më 10 gusht 1991, 25 vite më parë. Kryebariu përshkroi
gjendjen e atëhershme, që kujtonte më shumë atmosferën e Hadit, për të bërë më
konkret kontrastin me realitetin e sotëm që përjeton Kisha jonë e ringjallur
dhe e ngritur në nivele unikale për dëshminë Orthodhokse në këto treva.
Kryepiskopi theksoi edhe një herë tjetër, se Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale
paralelisht me procesin e ringritjes dhe ristrukturimit të saj ndërmori nisma
origjinale, të guximshme, për të kontribuar për shoqërinë dhe vendin në
përgjithësi. Nisma të tilla pati në arsim, në kulturë, në ekologji, në
zhvillimin agrar, në trashëgiminë kulturore etj. Me nisma të tilla Kisha
Orthodhokse është besnike e traditës dhe e misionit të saj dhe konseguente
pikërisht në rrezatimin dhe shpërndarjen e mesazhit të saj të shpresës,
dashurisë, të besimit. Krzepiskopi i nxiti besimtarët për të vazhduar në
guximin e mbajtjes gjallë të shpresës. Orthodhoksët shpresojmë jo në mënyrë
abstrakte, por sepse shpresën tonë e kanë mbështetur tek Krishti i Ngjallur. Ai
i nxiti gjithashtu për besim, besim i cili duhet kultivuar dhe jo të qëndrojmë
përciptazi në sipërfaqe. I nxiti për më shumë dashuri, e cila duhet shprehur
kudo në familje, në rrethin shoqëror, në gjithë botën.
Pas Liturgjisë Hyjnore, nxënësit e Shkollës 9-vjeçare Frymë
Dashurie, që funksionon në një godinë të re me parametra bashkëkohore në krah
të Katedrales, ndonëse periudhë pushimesh, përgatitën dhe paraqitën për
Kryepiskopin dhe Hierarkët e tjerë një program kuptimplotë dhe falënderues për
gjiçka Ai ka bërë dhe bën për grigjën Orthodhokse dhe të ardhmen e saj.
Kryepiskopi përsëri përshëndeti dhe iu drejtua kryesisht të rinjve, për
vazhdimin e përpjekjeve të tyre shpirtërore. Kujtoi rrugëtimin e tij personal,
që pati një ngjarje të rëndësishme në jetën e tij pikërisht si so, më 7 gusht
1958, Kryepiskopi u hirotonis në gradën e Dhjakonisë.
Për dhuratën e bukur të Katedrales dhe Shenjtërimin e Trapezës
së saj të Shenjtë, falënderime për Kryepiskopin u shprehën nga Mitropoliti i
Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, në emër të gjithë besimtarëve, klerit dhe popullit
Orthodhoks të Gjirokastrës.
Kisha Katedrale ‘Ngjallja e Krishtit’ është e ndërtuar në truall
pronë kishëtare, që u ble enkas nga Kryepiskopi në kuadrin e përpjekjeve për
ringritjen e Kishës Orthodhokse. Nevoja e ndërtimit të saj, veç të tjerash,
rrjedh edhe nga fakti se dy kishat e tjera të qytetit, të rikonstruktuara
gjithashtu nga Kryepiskopi, ndodhen në pozicione ku lëvizja është e vështirë
dhe të izoluara nga zhvillimet urbanistike.
Trualli u ble në vitin 2004 dhe njëherësh filluan përpjekjet e
përpilimit të projekteve (të profesorit të arkitekturës V. Papas), procedura
për dhënien e lejeve të nevojshme për shfrytëzimin e ndërtimin e truallit.
Punimet filluan në vitin 2009 dhe faza më e rëndësishme ndërtimore u përmbyllë
në 2011. Paralelisht me Kishën u ndërtua godina shkollore bashkëkohore, e cila
u vu në përdorim që në vitin 2012, u ndërtua kambanarja, duke ruajtur linjat e
arkitekturës tradicionale të zonës, u krijuan mjedise hajat për besimtarët, një
proskinitar i jashtëm, si edhe rregullua oborri, duke krijuar një park të
mrekullueshëm rreth kishës dhe shkollës.
Nga viti 2014 dhe deri sot, duke kapërcyer vështirësitë
financiare të kohës, u kryen punime edhe për pajisjen dhe interierin e Kishës.
Në këtë kuadër u realizua ikonostasi, ikonografia në kupolë, apsidën e Hierores
dhe pozicione të tjera, llampadarët e bronxtë etj., që shtojnë hijeshinë e
Kishës.
Projekti i realizuar sipas konsideratës së përgjithshme i dhuroi
Kishës Orthodhokse akoma një kishë të hijshme, në respekt të plotë të arkitekturës
së qytetit monumental të Gjirokastrës. Sipërfaqja e ndërtuar e Kishës është
450m2 dhe lartësia në kupolë arrin 18.5 m dhe kryqi 21 m.








No comments:
Post a Comment