Bashkia e re
e Libohovës është e pasur me monumente historike, arkeologjike dhe objekte
kulti, por shumë prej tyre mbeten të paarritshme për turistët për shkak të
rrugëve të këqija.
Autor: BIRN
Të dhëna të
përgjithshme
Zona
Gjeografike: Libohova kufizohet në veri me bashkinë Këlcyrë, në lindje me
Bashkinë Përmet, në jug me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkinë
Gjirokastër. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Libohovës.
Popullsia:
Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 3.667 banorësh. Ndërkohë që
sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 7.158 banorë. Libohova shtrihet në një
sipërfaqe prej 248.24 km2 me një densitet prej 28.83 banorë/km2.
Kjo bashki
përbëhet nga 3 njësi administrative, të cilat janë: Libohovë, Qendër Libohovë
dhe Zagorie. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit
Gjirokastër dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj
një qytet dhe 17 fshatra.
Profili i
bashkisë
Bashkia
Libohovë ka qenë që prej vitit 1914 nënprefekturë. Zona që përfshihet në
bashkinë e re është e pasur me monumente arkeologjike, historike, monumente
kulti dhe natyrore, me vlera unike në llojin e vet, të vizitueshme në çdo kohë
dhe të njohura ndërkombëtarisht.
Gjatë 20
viteve të fundit, popullsia e Libohovës ka njohur nivel të ulët të rritjes
demografike, edhe pse emigrimi apo migrimi ka shënuar ulje të ndjeshme. Kjo
zonë është në proces gjenerimi dhe ofron mundësi punësimi, përqendrimi,
investimi, turizmi, duke premtuar përmirësim të jetës së banorëve.
Bashkia e re
e Libohovës ka nevojë për investime në infrastrukturë, ekonomi, turizëm,
bujqësi e blegtori, pasi është një nga zonat më të rëndësishme për numrin e
bagëtive të imta dhe sipërfaqes bujqësore. Libohova mban rekord në Shqipëri për
shumëllojshmërinë e bimëve medicinale . Pozicioni gjeografik e bën Libohovën
një qendër potenciale, duke u bashkuar me zonat e tjera përreth si
komunën Qendër- Libohovë apo komunën Zagorie. Ajo mund të ofrojë
një shërbim më të mirë si qendër bashkie, duke shfrytëzuar potencialet hidrike,
bujqësore, blegtorale dhe turistike të të gjithë zonës.
Pozicioni
gjeografik kufitar, pjesëmarrja aktive në projektin IPA për zhvillimin e zonave
ndërkufitare, projektet e përbashkëta për eko-turizmin me bashkinë e Zagorit,
Greqi, do të sillnin një hop cilësor për këtë zonë, duke përfituar nga
shkëmbimi ekonomik dhe social –kulturor.
Sfidat me të
cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes se re
Administrimi
i të ardhurave nga bujqësia, nga blegtoria, fuqizimi dhe nxitja e bizneseve dhe
promovimi i produkteve të zonës mbeten sfida për t’u përballuar nga
bashkia e re e Libohovës.
Trashëgimia e
pasur historike dhe kulturore krijon premisat e zhvillimit të agroturizmit në
këtë zonë, por cilësia e keqe e rrugëve lidhëse mes Libohovës dhe fshatrave që
e rrethojnë e vështirëson këtë mundësi.
Në këtë
drejtim, shumë objekte të trashëgimisë kulturore mbeten të paarritshme për
turistët potencialë.
Bashkia duhet
të përcaktojë një strategji afatshkurtër se si do zhvillohen disa nga
zonat me potenciale turistike, përfshi dhe vetë qytetin si dhe të projektojë
mbështetjen e zonave më të thella si ajo e Zagorisë. Një sfidë është zhvillimi
i markës së prodhimeve blegtorale të Libohovës, sidomos i djathit, që njihet në
gjithë Shqipërinë. Bashkia do duhet të nxisë projekte që mundësojnë në të ardhmen
eksportin e këtyre produkteve në Bashkimin Europian.
Restaurimi i
Kalasë së Libohovës dhe disa monumenteve historike mbetet një tjetër sfidë për
bashkinë e re, që së bashku me sarajet e bejlerëve të Libohovës mund të kthehen
në atraksione turistike të periudhës osmane.
Zhvillimi i
arsimit mbetet një sfidë sidomos në zonat ku ka pak nxënës dhe kryhet mësim i
kombinuar.
Administrata
vendore e bashkisë
Bazuar në të
dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor
2015 në bashkinë e Libohovës kishin të drejtën e votës 5,797 votues. Gjatë
zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan
gjithsej 3,218 votues, 55.51% e zgjedhësve.
Rezultatet e
këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Znj. Luiza Mandi
të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 53.54% të votave.








No comments:
Post a Comment