Ne nje vjetorin e marrjes se mandatit Luiza Mandi ben bilancin dhe flet per projektet
Të nderuar
miq,
Rreth një vit
më parë unë mora zyrtarisht detyrën e kryebashkiakes së Libohovës, pas besimit
që ju më dhatë me votë më 21 qershor.
Sot dëshiroj
të ndaj me ju disa prej investimeve që janë realizuar gjatë këtij viti, disa
projekte që presin financim apo janë në zbatim e sipër dhe që ndikojnë direkt
në zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ndonëse
nevojat janë të shumta dhe gjithnjë ka vend për përmirësime, për më shumë
projekte dhe mbështetje ndaj çdo sektori, unë besoj se jemi në drejtimin e
duhur për të konkretizuar gjithë zotimet tona gjatë fushatës, si dhe për të
krijuar një perspektivë të re në Bashkinë Libohovë.
Renditja si
vijon:
Projekti për
rikonceptimin dhe rivitalizimin e qendrës së Libohovës, për të cilin jemi në
pritje të financimit nga qeveria.
Investimi në
bashkëpunim me UNDP Albania, për sistemimin e shtratit të lumit në Suhë, duke
frenuar kështu vërshimin e ujërave dhe shkatërrimin e tokave.
Realizimi i
projekteve në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës për restaurimin e Kullës së
Sahatit dhe shtëpisë së lindjes së Avni Rustemit.
Ndërhyrja e
pjesshme për sistemimin e aksit rrugor nga Kthesa e Libohovës drejt fshatit
Suhë.
Punësimi i
shumë grave dhe vajzave në sektorin e fasonerisë, falë bashkëpunimit me
bizneset që operojnë në këtë sektor.
Financimi nga
IADSA (programi italo-shqiptar i konvertimit të borxhit) i projektit për
ndërtimin e një strukture rezidenciale për të moshuarit në Libohovë.
Rikonstruksioni
i rrugës së fshatit Bulo, projekt që tashmë ka nisur nga zbatimi.
Projekti në
bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, për restaurimin e Kishës në Labovën e
Kryqit.
Investimi për
pastrimin dhe sistemimin e kanalit ujitës te fusha e Suhës, duke i ardhur në
ndihmë gjithë fermerëve të zonës.
Menaxhimi i mbetjeve
urbane përmes një forme të re nga vetë Bashkia Libohovë, jo përmes kompanive
private.
Shndërrimi i
ish-kinemasë së qytetit në një qendër kulturore, ku zhvillohen aktivitete të
shpeshta, kurse muzike, filma, si dhe vihen në skenë shfaqe të teatrit “Zihni
Sako”.
Projekti për
rikonstruksionin e rrugës së fshatit Labovë e Kryqit.
Rikonstruksioni
i rrjetit elektrik të Libohovës, investim që përmirësoi dukshëm cilësinë e
furnizimit me energji.
Investimet
për pastrimin dhe sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza në Zagorie.
Rikonstruksioni
i pjesshëm i këndit sportiv në shkollën 9-vjeçare dhe disa rrugëve të
brendshme.
Projekti për
restaurimin e Kalasë së Libohovës, për të cilin jemi në pritje të financimit.
Rikonstruksione
të pjesshme të kanaleve të III vaditëse në fushën e Libohovës.
Projekti për
restaurimin e kopshtit të qytetit, për të cilin jemi në pritje të financimit.
Projekti për
rikonstruksionin e aksit nga Kthesa e Libohovës te Ura e Suhës, rrugë që lidh
22 fshatra të dy bashkive, Libohovë e Dropull.
Të nderuar
bashkëqytetarë,
Si
kryebashkiake, por natyrisht edhe si një ndër ju që jetoj në Libohovë,
mirëkuptoj të gjithë ata që mendojnë se duhet bërë më shumë për Libohovën,
Nepravishtën, Zagorien, Labovën, Bulon, Suhën, Stegopulin e çdo fshat të zonës
tonë.
Mirëkuptoj të
gjithë ata që kanë pasur dhe kanë ende pritshmëri të larta nga unë si
kryebashkiake dhe njerëzit me të cilët unë punoj.
Sërish gjej
rastin për t’u zotuar se do të jem maksimalisht e angazhuar për të përmbushur
çdo pritshmëri dhe për të vënë në jetë çdo projekt që i shërben qytetarëve,
zhvillimit të zonës dhe perspektivës që duhet të ketë Libohova.
Besoj biem
dakord që nevojat për investime dhe projekte të reja janë të shumta, ndërsa
mundësitë e financimit janë gjithnjë të kufizuara. Megjithatë kjo s’e ndal
përpjekjen tonë të përbashkët për një qeverisje vendore në shërbim të
qytetetarëve.







No comments:
Post a Comment